E shtunë, 10 Tetor 2026 Mes'dritë deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Dy tërmete të fuqishme godasin Panamanë, pse nuk pati viktima pavarësisht magnitudës 7.7 të Rihterit

Dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.7 dhe 6.6 ballë goditën jugun e Panamasë të premten, duke shkaktuar dëme në ndërtesa, çarje të mëdha në rrugë dhe evakuime në disa zona të vendit. Lëkundjet u ndjenë edhe në Kolumbinë fqinje, ndërsa pas tërmetit të parë u regjistruan dhjetëra pasgoditje, disa prej tyre me magnitudë mbi 5 ballë. Autoritetet njoftuan se deri në mbrëmje nuk ishin raportuar viktima, por konfirmuan disa persona të plagosur.

VIDEO- Çfarë la pas tërmeti në Panama

Reklamë

Pavarësisht magnitudës së lartë të tërmeteve, autoritetet nuk raportuan viktima deri në orët e mbrëmjes. Ekspertët e lidhën këtë rezultat të mundshëm me standardet e forta antisizmike të ndërtimeve moderne në vend, veçanërisht në kryeqytetin Panama City.

Panamaja ka një kod ndërtimi të rreptë dhe modern, rezistent ndaj tërmeteve , të quajtur REP (Reglamento Estructural de Panamá). Ky kod është veçanërisht i rreptë për ndërtesat dhe rrokaqiejt e rinj në Panama City. Ndërsa pati shembje të ndërtesave të vjetra dhe dëmtime në rrjetet rrugore, infrastruktura kritike, siç është Kanali i Panamasë , vazhdoi të funksiononte normalisht pa ndërprerje, pavarësisht tërmeteve të forta.

Reklamë

VIDEO– Momente të frikshme nga lëkundjet e tërmetit në Panama

Omar Smith, nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, i tha kanalit televiziv Telemetro Reporta se dëmet ishin kryesisht të lokalizuara në provincat qendrore të Veraguas, Herrera dhe Los Santos , ndërsa nuk u raportuan dëme në Panama City.

Ndërkohë, aeroporti ndërkombëtar Tocumen pezulloi përkohësisht fluturimet pas lëkundjes së parë, por më vonë njoftoi rifillimin e operacioneve. Autoriteti i Kanalit të Panamasë bëri të ditur se lundrimi vazhdonte normalisht, ndërsa ekipet teknike po inspektonin infrastrukturën për dëme të mundshme.

Pas tërmeteve, autoritetet lëshuan paralajmërime për cunami në disa zona të Paqësorit, përfshirë brigjet e Panamasë, Kolumbisë, Ekuadorit, Nikaraguas dhe Guatemalës. Megjithatë, paralajmërimet u hoqën më vonë. Sipas ekspertëve të Universitetit të Panamasë, në disa zona bregdetare priteshin fillimisht dallgë nga një deri në tre metra, ndërsa u raportua se uji i detit kishte mbërritur pranë disa banesave në zonën e Isla Cañas. Panamaja ndodhet në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik.

Pas katastrofës, disa vende shprehën solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar Panamanë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po përgatiteshin të mobilizonin personel dhe burime ndihme, me kërkesë të qeverisë panameze. Mbështetje ofruan gjithashtu Kolumbia, Kosta Rika, Venezuela, Ekuadori, Peruja dhe vende të tjera të rajonit. Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe monitorimin e situatës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e pasgoditjeve të tjera në orët dhe ditët në vijim.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.