Policia e Fierit arrestoi një 41-vjeçar me banim në Vlorë, pasi prej 2 vitesh kërcënonte një të moshuar për t’i marrë një shumë parash. Sipas policisë, që prej vitit 2024, Ilir Sherifaj ka kanosur 73-vjeçarin, me qëllim që t’i jepte një shumë parash, të cilën pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.
Ishte 73-vjeçari që bëri kallëzim në polici, dhe pas hetimit të kryer me metoda speciale, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar.
Sipas policisë, i arrestuari është me precedent të mëparshëm penalë për krime kundër personit.
Njoftimi i policisë:
DVP FIER/ Kanosi për 2 vjet një 73-vjeçar për t’i marrë një shumë parash, identifikohet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
I arrestuari, me precedent penal për krime kundër personit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në DVP Fier, pas një hetimi të kryer me metoda speciale, në vijim të kallëzimit të një 73-vjeçari, i cili ishte kanosur për dhënien e një shume parash, kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të rastit, shtetasin:
* I. Sh., 41 vjeç, banues në Vlorë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit, ka kanosur vazhdimisht, që prej vitit 2024, një 73-vjeçar, me qëllim që ky i fundit t’i jepte një shumë parash, të cilën pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento