Një 41-vjeçar nga Vlora është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se për rreth dy vite ka kanosur vazhdimisht një të moshuar 73-vjeçar, me qëllim përfitimin e një shume parash.
Sipas Policisë, hetimet nisën pas kallëzimit të të moshuarit, i cili pretendonte se ishte kërcënuar për t’i dhënë para nga i dyshuari.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, dyshohet se 41-vjeçari, me precedent penal për krime kundër personit, e kishte kanosur të moshuarin që prej vitit 2024. Shkak për kërkesën për para dyshohet të ketë qenë një borxh që 41-vjeçari pretendonte se ia kishte djali i 73-vjeçarit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, shtetasit me inicialet I. Sh.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.













