
Kreu i komisionit për Çështjet Ligjore e cilësoi miratimin e Reformës Territoriale si ''humbje për opozitën'' pavarësisht se qytetarët e bashkive që shkrihen u ngritën në protesta masive. Pasi Rama u vendosi ultimatum kritikëve në rast se nuk e votonin, Manja sërish e konsideron këtë si forcë dhe mospërjashtim të mendimit ndryshe.
''Sepse në PS debati nuk është dobësi, por forcë. Dhe uniteti nuk e përjashton mendimin ndryshe!''- shkruan ai.
Ndërkohë sa i takon votave pro, Manja tha se askush nuk duhet të ketë habi edhe nëse PS arrin në 90 vota, por shtoi se ky numër nuk i nevojitej.
''Keqardhje edhe për ata që mbrëmë fërkonin duart, duke rendur nga një studio televizive në tjetrën, me shpresën se PS nuk i kishte 84 votat! Por tabela elektronike e Kuvendit shënoi 85 VOTA! Dhe, me mënyrën se si po përzihet vatha e opozitës, mos u çudisni nëse një ditë bëhemi 87 apo edhe 90! Edhe pse, për të qenë të qartë, nuk na duhen! Na vjen keq, por nuk ju ndihmojmë dot! As opozitën, as oborrtarët e saj dhe as ata që kishin varur shpresat te përçarja e socialistëve! Partia Socialiste di të debatojë, di të vendosë dhe, mbi të gjitha, di të qëndrojë e bashkuar kur bëhet fjalë për interesin e vendit!''- shton Manja më tej. Versus.al

