Një 41 vjeçar me banim në Vlorë, është arrestuar nga shërbimet e Policisë së Fierit, pasi akuzohet se ka kanosur një 73-vjeçar për t’i marrë një shumë parash. I arrestuari, është me precedent penal për krime kundër personit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në DVP Fier, pas një hetimi të kryer me metoda speciale, në vijim të kallëzimit të një 73-vjeçari, i cili ishte kanosur për dhënien e një shume parash, kanë identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të rastit, shtetasin:
- I. Sh., 41 vjeç, banues në Vlorë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit, ka kanosur vazhdimisht, që prej vitit 2024, një 73-vjeçar, me qëllim që ky i fundit t’i jepte një shumë parash, të cilën pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
