Kanë kaluar 15 muaj nga vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra, por dhimbja e familjarëve për humbjen e tij mbetet e madhe. Motra e të riut ka ndarë në rrjetet sociale një dedikim prekës, ku shpreh mallin për të vëllanë dhe kujton momentet që kanë kaluar së bashku.
Në mesazhin e saj, ajo flet për bisedat, të qeshurat dhe përqafimet që sot do të dëshironte t’i përjetonte edhe një herë. Mes dhimbjes dhe kujtimeve, motra shpreh edhe keqardhjen për momentet e humbura, duke theksuar se dashuria për të vëllanë do të mbetet e përjetshme, pavarësisht debateve apo mosmarrëveshjeve që mund të kenë pasur.
Ajo tregon se do të donte t’i rrëfente gjithçka që ka ndodhur që prej largimit të tij, herët kur e ka marrë malli, lotët e derdhur në heshtje dhe momentet kur ka dashur ta telefonojë, përpara se të kujtonte se nuk mund ta bënte më.
Dedikimi vjen një ditë pasi Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim katër persona të dyshuar për përfshirjen në rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit. Ndërsa çështja vijon në rrugën gjyqësore, familjarët e Renis Dobrës përballen çdo ditë me mungesën e tij.
Mesazhi i plotë i motrës:
Kanë kaluar 1 vit e 3 muaj pa ty, por zemra ime ende nuk arrin ta besojë që ti nuk je më këtu. Ende të pres. Ende më duket sikur do të të shoh, sikur do të dëgjoj zërin tënd, sikur do të vijë ai moment kur do të mund të përqafoj përsëri.
Më mungon… më mungon më shumë nga sa mund ta shpjegojnë fjalët. Me lot në sy kujtoj çdo moment me ty. Çdo të qeshur, çdo bisedë, çdo gjë të vogël që dikur më dukej normale dhe sot do të jepja gjithçka vetëm ta përjetoja edhe një herë. Ka net kur fle dhe pres të të shoh në ëndërr. Dhe kur zgjohem e kuptoj që nuk të pashë, mërzitem shumë. Sepse në ëndërr është i vetmi vend ku zemra ime shpreson të takojë përsëri.
Sikur të mund të të përqafoja vetëm edhe një herë… Do të shtrëngoja fort dhe nuk do të të lija. Do të thosha sa shumë të dua. Do të thosha sa shumë më ke munguar. Do të kërkoja falje një mijë herë për çdo herë që të kam ngritur zërin, për çdo fjalë që ndoshta të ka lënduar, për çdo gjë që nuk ta plotësova kur ti e deshe. Më fal, vëllai im. Sot do të doja të mos kisha kursyer asnjë përqafim, asnjë të dua, asnjë minutë me ty.
Por dua të dish diçka, unë të kam dashur gjithmonë. Edhe kur jam mërzitur, edhe kur të kam bërtitur, edhe kur nuk kemi qenë dakord. Dashuria ime për ty ka qenë aty dhe do të jetë gjithmonë. Ti nuk ishe thjesht vëllai im. Ti ishe vëllai im i vetëm. Drita e syve të mi. Një pjesë e zemrës sime. Dhe tani që nuk je këtu, e kuptoj sa shumë nga zemra ime ke marrë me vete.
Do të doja të tregoja gjithçka që ka ndodhur që kur ike. Do të doja të tregoja sa herë më ka marrë malli, sa herë kam qarë fshehurazi, sa herë kam dashur të telefonoj e pastaj më është kujtuar se nuk mundem. Por mbi të gjitha do të doja të thoja edhe një herë: Të dua, vëllai im. Më fal për gjithçka. Më mungon çdo ditë. Dhe nuk do të harroj kurrë.
Nëse dashuria do të mund të sillte përsëri, ti do të ishe këtu në krahët e mi. Deri atëherë, do të mbaj në zemër, në kujtime, në çdo lot dhe në çdo buzëqeshje që më sjell ndër mend ty. Pusho i qetë, vëllai im i shtrenjtë. Motra jote do të dojë përgjithmonë.


