Flasim për negociata dhe anëtarësim në BE, por akoma duhet të shkruajmë letra për: rrugë, drita dhe ujë

Flasim për negociata dhe anëtarësim në BE, por akoma duhet të shkruajmë letra për: rrugë, drita dhe ujë

09:20, 10/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Desada Xhetani

LETËR PUBLIKE

Drejtuar deputetit Agron Malaj, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe kryeministrit Edi Rama

Drejtuar deputetit Agron Malaj, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe kryeministrit Edi Rama

Fotot që shoqërojnë këtë letër janë bërë sot. Nuk janë rrugica të humbura mes maleve, as shtigje që të çojnë në ndonjë fshat të largët. Është një rrugë kryesore që lidh Burrelin me fshatrat e kësaj zone, një rrugë që i lidh banorët me qytetin, me njëri-tjetrin dhe me jetën e përditshme. Është edhe rruga përmes së cilës shumë prej tyre udhëtojnë drejt Tiranës, ndërsa vazhdimi i saj i lidh këto zona me drejtimin e Mirditës dhe Rrëshenit.

Çdo fundjavë kthehem pranë familjes sime. Dhe, si një vajzë 22-vjeçare, e kam të vështirë të pranoj se edhe në vitin 2026, kur flasim për negociata dhe anëtarësim në Bashkimin Europian, ende duhet të shkruajmë letra e të kërkojmë gjëra kaq themelore: rrugë, drita dhe ujë.

Do të doja të flisja për arsimin, për të rinjtë, për mundësitë që duhet të kenë në vendin e tyre, për të ardhmen që meritojnë. Do të doja të flisja për zhvillimin e këtyre zonave dhe për mënyrën se si mund t’i mbajmë njerëzit pranë shtëpive të tyre. Por si mund të flasim për të ardhmen, kur ende nuk kemi zgjidhur probleme që duhej të ishin kapërcyer prej kohësh?

Image

 

Dje, qeveria miratoi një reformë territoriale që prek drejtpërdrejt organizimin e pushtetit vendor. U premtua se shërbimet do të jenë më pranë qytetarëve dhe se ndryshimet do të sjellin përmirësime. Le ta lëmë mënjanë, për një moment, debatin për këtë reformë. Vendimet u morën dhe qytetarët presin të shohin rezultatet. Por një pyetje mbetet: çfarë kuptimi ka të ndryshojmë hartat, kufijtë dhe strukturat, nëse jeta e njerëzve në fshatra vazhdon të mbetet po njësoj?

Banorët e këtyre fshatrave presin prej 13 vitesh për këtë rrugë. Gjatë verës, mbulohet me dhe, vetëm që shiu i parë ta marrë përsëri me vete dhe gropat të dalin sërish në sipërfaqe. Një zgjidhje e përkohshme, që përsëritet vit pas viti, njësoj si premtimet që dëgjohen e harrohen.

Dhe kjo është ajo që dhemb më shumë: kur përballesh me realitetin, kupton sa e madhe është largësia mes asaj që thuhet dhe asaj që njerëzit përjetojnë çdo ditë.

Të them të drejtën, kjo letër nuk buron vetëm nga shqetësimi im. Është shqetësimi i banorëve, i demokratëve dhe i socialistëve, i njerëzve që mund të kenë bindje të ndryshme politike, por që kalojnë në të njëjtën rrugë dhe përballen me të njëjtat vështirësi. Madje, besoj se këtë shqetësim e njeh mirë edhe vetë deputeti Agron Malaj, i cili, si ish-kryetar i Bashkisë së Matit dhe si bir i kësaj treve, e njeh realitetin e saj dhe e di se çfarë do të thotë të udhëtosh në këto rrugë.

Edhe Belinda Balluku, kur ishte drejtuese politike e qarkut Dibër dhe zhvillonte takime elektorale, ka kaluar në këtë zonë.

Prandaj, pyes veten, a nuk ju ka bërë përshtypje ky realitet? Apo ndoshta fshatrat e vegjël, me pak banorë dhe me gjithnjë e më pak të rinj, nuk kanë pasur peshën e duhur për t’u kthyer në një përparësi?

Nuk po e bëj këtë pyetje për të akuzuar dikë. Po e bëj sepse, kur një problem zgjat për 13 vjet, është e vështirë të mos pyesësh se çfarë ka munguar, vullneti, vëmendja apo përgjegjësia për ta çuar deri në fund një zgjidhje.

Fshatrat po boshatisen. Bijtë e tyre kthehen nga kurbeti për disa ditë, për të takuar prindërit, për të parë shtëpitë dhe vendin ku janë rritur. Por, pas tri ditësh udhëtim në këto rrugë, shpesh makinat e tyre kanë nevojë për servis.

Mund të tingëllojë si një detaj i vogël, madje edhe si diçka për të qeshur, por nuk është. Është një realitet i hidhur. Dhe ajo që më dhemb më shumë është se, në shumë raste, njerëzit mezi presin të largohen përsëri.

Sa e trishtë është që dikush të mezi presë të largohet nga shtëpia e vet, nga vendi ku ka lindur, nga njerëzit që do, jo sepse nuk e do më atë vend, por sepse jeta atje po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Sot nuk po ju drejtohem me gjuhën e një politikaneje që kërkon të denoncojë apo të fajësojë. Po ju drejtohem si një vajzë që kthehet çdo fundjavë në vendlindjen e saj dhe që do të donte të kishte arsye të fliste për gjëra të tjera, për mundësi, zhvillim dhe shpresë.

Kam rezervat e mia për shumëçka që ka ndodhur në Burrel dhe në Mat. Për çështjet që kërkojnë hetim, le të flasë drejtësia dhe SPAK-u, aty ku është kompetent. E vërteta duhet të zbardhet përmes institucioneve dhe ligjit.

Por kjo letër publike nuk ka të bëjë me hetimet dhe as me debatet politike. Ka të bëjë me një rrugë që duhet të rregullohet dhe me njerëz që nuk mund të presin pafundësisht.

Dëgjojmë shpesh të thuhet se rruga është në gjyq, se përgjegjësia i takon një institucioni apo një tjetri, se ka pengesa dhe arsye që e kanë vonuar zgjidhjen. Mund të ketë procedura, vështirësi ligjore apo çështje administrative që duhen sqaruar. Por qytetarët nuk mund të mbeten peng i tyre për 13 vjet.

Nëse rruga nuk është në kompetencën e Bashkisë, por të institucioneve qendrore dhe strukturave përgjegjëse për infrastrukturën rrugore, atëherë pikërisht atyre u takon të gjejnë zgjidhjen. Dhe nëse ekzistojnë pengesa ligjore, ato duhet të trajtohen me seriozitet, transparencë dhe përgjegjësi, jo të kthehen në një përgjigje që përsëritet pafundësisht.

Zoti Agron Malaj, si deputet i kësaj zone dhe si ish-kryetar i Bashkisë së Matit, ju drejtohem me një kërkesë të thjeshtë, ngrijeni këtë shqetësim në Kuvend. Edhe nëse nuk e keni drejtpërdrejt në kompetencë ta rregulloni këtë rrugë, keni mundësinë dhe përgjegjësinë politike ta bëni zërin e banorëve të dëgjohet, të kërkoni përgjigje nga institucionet përgjegjëse dhe të ndiqni deri në fund një zgjidhje konkrete.

Ndonjëherë, për të bërë ndryshimin, nuk duhet një fjalim i madh apo një premtim i ri. Mjafton që një shqetësim i vërtetë të merret seriozisht dhe të mos lihet më në harresë.

Zoti ministër, zoti kryeministër, një rrugë nuk është thjesht asfalt. Është mundësia që një prind të shkojë te fëmija i tij, që një i ri të mos ndihet i braktisur, që një familje të mos e shohë largimin si të vetmen zgjidhje. Është lidhja mes një fshati dhe pjesës tjetër të vendit. Është dinjiteti i njerëzve që kanë zgjedhur të qëndrojnë.

Nuk po kërkoj privilegje për këto fshatra. Po kërkoj atë që duhet të jetë e zakonshme për çdo qytetar, infrastrukturë të sigurt, shërbime dinjitoze dhe vëmendje nga institucionet që e kanë për detyrë t’u shërbejnë.

Sepse rrugët nuk duhet të kenë ngjyrë politike. As nevojat e njerëzve nuk duhet të maten me vota. Një banor që ka votuar për Partinë Socialiste ka të njëjtën të drejtë për një rrugë të mirë si një banor që ka votuar për Partinë Demokratike. Dhe ai që nuk ka votuar fare nuk meriton më pak.

Rruga dhe shërbimet publike duhet të qëndrojnë mbi bindjet politike, mbi interesat e ditës dhe mbi çdo llogari elektorale.

Pas 13 vitesh, ndoshta ka ardhur koha që, në vend të një tjetër premtimi, këta banorë të marrin më në fund një përgjigje dhe një zgjidhje.

Sepse vendlindja nuk duhet të jetë një vend ku kthehemi vetëm për të kujtuar atë që kemi lënë pas, por një vend ku mund të jetojmë me dinjitet dhe ku kemi ende arsye të besojmë se e ardhmja është e mundur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco