Antoneta Sevdari, Afërdita Ndoi dhe Eloida Goxhi janë tre anëtaret e reja të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ato janë zgjedhur dje me shumicë votash, për tre vende vakante nga Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroritë e Apelit dhe ato të Shkallës së Parë.
Konkretisht, Antoneta Sevdari është rikthyer në Këshillin e Lartë të Prokurorisë me 165 vota, si një nga anëtarët përfaqësues nga radhët e Prokurorisë së Përgjithshme; Afërdita Ndoi me 160 vota si anëtare përfaqësuese nga prokuroritë e apelit dhe Eloida Goxhi, me 248 vota, nga prokuroritë e Shkallës së Parë.
Të gjithë prokurorët e Republikës, kanë zgjedhur tre përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët do të zëvendësojnë anëtarët që përfundojnë mandatin në 2026, përkatësisht Sokol Stojani, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme; Ledina Riza, përfaqësuese e prokurorive të apelit; dhe Zeqir Hoda, përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.
Antoneta Sevdari
Antoneta Sevdari u bë simbol i zbatimit të ekzagjeruar të ligjit mbi kontrollin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, (vettingut), i cili e pati shkarkuar atë në shkurt 2019 pasi gjeti si të pajustifikueshme një sasi të të ardhurave të bashkëshortit, mbi dy dekada më parë, kohë para se të njihej dhe martohej me prokuroren.
Në dhjetor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut iu përgjigj pozitivisht ankesës së Antoneta Sevdarit duke e konsideruar shkarkimin e saj nga detyra të pajustifikueshëm dhe “disproporcional” me qëllimin e ligjit për kontrollin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në vitin 2024, ajo u rikthye në detyrë.
Afërdita Ndoi (Vatnikaj)
Prokurorja Afërdita Ndoi është diplomuar në shkollën e Magjistraturës në vitin 2003. Ajo është emëruar fillimisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe është transferuar në vitin 2009 në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Subjekti është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) për të tri kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Procesi i saj i vettingut shkoi dhe në shkallën e dytë, në KPA, në të cilën ajo mori sërish vlerësim pozitiv. Aktualisht, ajo shërben Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Eloida Goxhi
Prokurorja Eloida Goxhi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe e ka nisur detyrën fillimisht në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2011 ajo u emërua në Prokurorinë e Beratit, ku për disa vite dhe u bë drejtuese e institucionit. 8 vite më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dërgoi për inspektim një nga dosjet e hetuara prej saj, por gjithsesi e konfirmoi atë në detyrë.
Ajo u transferua më pas si prokurore, në Prokurorinë e Tiranës. Eloida Goxhi ka qene dhe më parë anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ajo rikthehet në Qeverinë e Prokurorëve për të zëvendësuar Zeqir Hodën, si përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.
© Newsbomb.al
