Trafikonin makineri të lojërave të fatit, në pranga dy persona në Tiranë
Dy persona, 53 dhe 67 vjeç, janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se sillnin kontrabandë makineri të lojërave të fatit nga vendet fqinje, i modifikonin me programe të paligjshme dhe më pas ua shisnin personave të përfshirë në organizimin e basteve të paligjshme.
Operacioni i koduar “Interceptimi” u finalizua pas një hetimi pesëmujor nga specialistët e Hetimit të Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Nga hetimet dyshohet se njëri prej të arrestuarve kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit, ku, në bashkëpunim me personin tjetër, modifikonte makineritë përmes programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, sipas kërkesave të klientëve.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 25 makineri të lojërave të fatit, katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme

