Bota

Nobeli i Paqes iu dha Navi Pillay-t, Trump: Vendim i turpshëm!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar pasi nuk u shpall fitues i Çmimit Nobel për Paqen, duke e cilësuar vendimin e këtij viti si “të turpshëm dhe skandaloz”.

Çmimi iu dha dje Navi Pillay-t, ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe ish-komisionere e lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Vetëm pak orë pas shpalljes së fitueses, gjatë një tubimi në Syracuse, në shtetin e Nju Jorkut, Trump tha se nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e saj, duke iu referuar si një “person misterioz”.

Kjo është një njollë e pashlyeshme për Norvegjinë. Ne nuk do ta harrojmë.

Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të fituar çmimin prestigjioz dhe ka kritikuar edhe vendimin e vitit të kaluar, kur Nobeli për Paqen iu dha lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti amerikan përsëriti pretendimet se kishte ndihmuar në përfundimin e tetë luftërave dhe se ishte “pranë zgjidhjes ose fitores” në dy të tjera.

Nobeli për Paqen është diskredituar përgjithmonë nga një grusht ideologësh radikalë, që janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit.

Edhe në vitin 2025, Shtëpia e Bardhë kritikoi komitetin Nobel, duke e akuzuar se vendoste “politikën mbi paqen”.

Megjithatë, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre i kishte shpjeguar Trumpit vitin e kaluar se fituesit nuk përzgjidhen nga qeveria norvegjeze, por nga një komitet i pavarur me seli në Norvegji.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e nderoi Navi Pillay-n për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të drejtës ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në krijimin e një rendi juridik global më gjithëpërfshirës.

Kryetari i komitetit, Jørgen Watne Frydnes, vlerësoi rolin e saj në përpjekjet për të siguruar që krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të ndiqen penalisht.

Pillay, 85 vjeçe, e priti lajmin nga Pallati i Drejtësisë në Nuremberg. Reagimi i saj i parë ishte:

Duhet të jetë shaka.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.