Një 41-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se për rreth dy vjet ka kanosur vazhdimisht një 73-vjeçar, me qëllim që t’i merrte një shumë parash. Sipas Policisë, ai pretendonte se paratë i detyroheshin nga djali i të moshuarit.
Në kuadër të hetimeve të kryera pas kallëzimit të 73-vjeçarit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, Ilir Sherifaj, 41 vjeç, banues në Vlorë.
Nga hetimet dyshohet se ai e ka kanosur të moshuarin në mënyrë të përsëritur që prej vitit 2024, duke i kërkuar një shumë parash që pretendonte se ia kishte borxh djali i tij.
Policia bën me dije se 41-vjeçari ka precedent penal për krime kundër personit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.


