Shërbimet e Policisë së Tiranës kanë finalizuar një hetim 5 mujor, në kuadër të të cilit në një magazinë te Kodra e Priftit, modifikoheshin me programe ilegale makineta të kontrabanduara, të cilat iu shiteshin organizatorëve të lojërave të fatit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit të koduar “Interceptimi”, arrestuan shtetasit A. S., 53 vjeç dhe S. K., 67 vjeç.
Si rezultat i një pune të thelluar hetimore, aplikimit të metodave speciale të hetimit, si dhe monitorimit dhe interceptimit të valëve elektronike, u konstatua se shtetasi A. S. kishte marrë me qira, një magazinë, në zonën e quajtur “Kodra e Priftit”, ku në bashkëpunim me shtetasin S. K., dyshohet se kontrabandonte makineta nga shtetet fqinje.
Më pas, nëpërmjet programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, makinetat programoheshin sipas kërkesave të shtetasve/subjekteve të interesuara, të përfshira në organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kriminal. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
