Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare e Shkodrës, pasi u kap duke transportuar me automjet shtatë shtetas të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
I riu, me inicialet L. M., banues në Urën Vajgurore, u arrestua në flagrancë në kuadër të operacionit të koduar “Transit 4”.
Sipas Policisë, automjeti u ndalua në aksin rrugor Vukpalaj–Aliaj. Në të udhëtonin pesë shtetas nga Filipinet dhe dy nga Afganistani, të cilët dyshohet se po transportoheshin kundrejt pagesës për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Në përfundim të operacionit, autoritetet sekuestruan automjetin që përdorej për transportin e emigrantëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.













