Transportonte 7 emigrantë nga Filipinet dhe Afganistani drejt Malit të Zi, arrestohet 23-vjeçari në Shkodër

Një 23-vjeçar është arrestuar në Shkodër, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës 7 emigrantë nga Filipinet dhe Afganistani, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.
Arrestimi i shtetasit me inicialet L. M., banues në Urën Vajgurore, u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Transit 4”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër.
Gjatë kontrolleve në segmentin rrugor Vukpalaj–Aliaj, shërbimet e Policisë Kufitare ndaluan automjetin që drejtohej nga 23-vjeçari. Brenda tij u gjetën 7 shtetas të huaj, 5 nga Filipinet dhe 2 nga Afganistani, të cilët dyshohet se po transportoheshin kundrejt pagesës për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.
Në kuadër të operacionit, policia sekuestroi automjetin që përdorej për transportimin e emigrantëve. Sipas autoriteteve, operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në vijim të kontrolleve për goditjen e veprimtarive që ndihmojnë kalimin e paligjshëm të kufirit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.




