Një 23-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Transit 4”, pasi dyshohet se transportonte kundrejt pagesës shtatë shtetas të huaj, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi.
Operacioni u finalizua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e rasteve të dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit nga shtetas të huaj.
Në pranga ra shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Urën Vajgurore. Sipas Policisë, ai u ndalua në segmentin rrugor Vukpalaj–Aliaj, teksa drejtonte automjetin me të cilin transportoheshin shtatë emigrantët, pesë nga Filipinet dhe dy nga Afganistani.
Nga hetimet paraprake dyshohet se të huajt po transportoheshin kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror me Malin e Zi.
Në kuadër të operacionit, Policia sekuestroi edhe automjetin që përdorej për transportimin e emigrantëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.


