I gjetën dy armë automatike dhe 32,500 euro në banesë, arrestohet 32-vjeçari në Shijak

Një 32-vjeçar është arrestuar në Shijak, pasi në banesën e tij u gjetën dy armë zjarri automatike, municion luftarak dhe 32,500 euro.
Arrestimi i shtetasit me inicialet A. I., banues në Shijak, u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Baza”, të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak.
Gjatë kontrollit të banesës në fshatin Koxhas-Kodër, në Xhafzotaj, policia sekuestroi dy armë zjarri automatike, dy krehra me nga 10 fishekë secili, si dhe shumën prej 32,500 eurosh.
Sipas policisë, operacioni u organizua pas informacioneve se 32-vjeçari mbante armë zjarri pa leje. Ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.




