Inez Hajrulla, ‘’i forti i Vlorës’’ i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka humbur kontaktet me familjarët e tij prej disa ditësh. Pas raportimeve në disa media se Hajrulla ishte marrë peng, policia e Vlorës ka kontaktuar babain e tij.
Robert Hajrulla u ka thënë policëve se duke qenë se është në kërkim ndërkombëtar, nuk ka patur kontakt prej dy ditësh me djalin e tij. Ai beson se i biri ndodhet jashtë vendit dhe mësohet se u ka thënë efektivëve se do të denoncojë zhdukjen e tij në rast se nuk merr asnjë kontakt nga Inez Hajrulla.
Misteri rreth të riut nisi kur miqtë e tij nisën të humbnin kontaktet me të. Mediat shkruajnë se miqtë e Hajrullës kishin dijeni se i shumëkërkuari ndodhej në Tiranë ku është rrëmbyer nga disa persona të veshur me jelekë të BKH. Pas përpjekjeve për të mësuar se në cilin komisariat ishte dërguar, ata mësuan se miku i tyre nuk ishte arrestuar dhe kjo bëri që të alarmoheshin për fatin e tij, shkruan Vna.al.
Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për rrëmbim nga grupi rival apo lojë nga vetë Inez Hajrulla për të mbajtur larg policinë. Kujtojmë se Hajrulla është në kërkim me urdhër të SPAK për vrasje dhe grup kriminal. Ai mori drejtimin e grupit kriminal në 2018, pas vrasjes së shefit të tij, Edison Harizaj, i njohur si Edison Faqedjeguri. I riu ka përplasje të forta me disa grupe kriminale në Vlorë. Versus.al

