Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se kontrabandonin makineri të lojërave të fatit nga shtetet fqinje, i modifikonin me programe ilegale dhe më pas ua shisnin personave të përfshirë në organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Veprimtaria u zbulua pas një hetimi pesëmujor, të zhvilluar me metoda proaktive nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë. Operacioni u kodua “Interceptimi”.
Në kuadër të tij, u arrestuan shtetasit A. S., 53 vjeç, dhe S. K., 67 vjeç, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari.
Sipas Policisë, 53-vjeçari kishte marrë me qira një magazinë në zonën e Kodrës së Priftit, ku, në bashkëpunim me 67-vjeçarin, dyshohet se sillnin kontrabandë makineta nga shtetet fqinje. Pajisjet modifikoheshin përmes programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, në përputhje me kërkesat e personave apo subjekteve të interesuara për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 25 makineta të lojërave të fatit, katër telefona celularë, dy laptopë dhe një njësi kompjuterike.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


