Bota

Tragjedi në Spanjë/Vajza e Luis Enrique përfshihet në një aksident fatal!

Një aksident tragjik rrugor në Spanjë ka përfshirë Sira Martinez, vajzën 26-vjeçare të trajnerit Luis Enrique. Ajo ndodhej në një automjet të drejtuar nga një kalorës britanik, koleg i saj, kur makina e tyre u përplas me një motor të enjten në mbrëmje, në zonën e Olivës, pranë Valencias. Sipas raportimeve të mediave spanjole, Sira dhe drejtuesi i automjetit shpëtuan pa lëndime. Por për fat të keq për motoristin, aksidenti rezultoi fatal. Kur mbërritën shërbimet e emergjencës, mjekët nuk mundën të bënin tjetër veçse të konstatonin vdekjen e tij.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat spanjole, drejtuesi britanik i makinës rezultoi negativ në testet për alkool dhe drogë. Megjithatë, autoritetet kanë hapur një hetim për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e përplasjes. Sira Martinez është e njohur në sportin e kalërimit dhe konsiderohet një sportiste me perspektivë në këtë disiplinë. Ajo është vajza e Luis Enrique, trajnerit spanjoll që ka drejtuar disa prej klubeve më të mëdha europiane dhe aktualisht është në krye të Paris Saint-Germain. Hetimet pritet të sqarojnë se si ndodhi përplasja që i mori jetën motoristit. Deri tani, nuk janë bërë publike të dhëna të tjera zyrtare mbi identitetin e viktimës apo përgjegjësitë e mundshme për aksidentin.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.