Gossip

Pjesë e marrëveshjes/Influencerja do të kërkojë falje në Instagram për tre vjet e gjysmë, por për çfarë?

Një video publike me kërkimfaljen e saj do të qëndrojë e dukshme në Instagram për tre vjet e gjysmë. Kjo është pjesë e marrëveshjes jashtëgjyqësore që i dha fund mosmarrëveshjes mes influencueses amerikane Emily Gellis dhe Tanya Zuckerbrot, sipërmarrëse dhe dietologe. Lajmi u raportua nga The New York Times. Padia daton në tetor të vitit 2020, kur Zuckerbrot akuzoi Gellis për shpifje dhe ngacmim, pas një fushate të zhvilluar në internet kundër saj dhe biznesit të saj. Marrëveshja e arritur mes palëve parashikon që kërkimfalja të mbetet e dukshme në profilin e influencueses.

Ngjarja nisi në verën e vitit 2020, kur Gellis filloi të mblidhte dhe të publikonte dëshmi anonime të marra përmes rrjeteve sociale. Në postimet e saj në Instagram, ku kishte rreth 185 mijë ndjekës, ajo pretendonte se disa konsumatorë kishin përjetuar probleme shëndetësore pasi kishin ndjekur programin e dietës F-Factor. Akuzat e saj përqendroheshin veçanërisht te suplementet e fibrave të tregtuara nga kompania. Zuckerbrot i mohoi akuzat, duke kundërshtuar pretendimet për probleme shëndetësore dhe duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e burimeve të influencueses.

Më vonë, një hetim i The New York Times zbuloi origjinën e një prej pretendimeve më të rënda, sipas të cilit dieta kishte shkaktuar një abort. Sipas gazetës, kjo histori ishte e sajuar nga një grua, e cila i kishte dhënë qëllimisht informacione të rreme Gellis për të testuar nëse influencuesja do t’i publikonte ato pa verifikuar vërtetësinë e tyre. Në videon rreth gjashtëminutëshe, Gellis shfaqet përpara një muri të bardhë, e veshur me një bluzë të zezë me jakë, ndërsa lexon një deklaratë drejtuar sipërmarrëses.

“Jam këtu sot për të marrë përgjegjësinë e plotë për dëmin që i kam shkaktuar Tanya Zuckerbrot, kompanisë së saj dhe familjes së saj”, deklaron influencuesja. Gjatë gjithë videos, duke ruajtur një shprehje serioze, ajo përsërit kërkimfaljen: “Më vjen shumë keq”. Më pas shton: “Po, po e përsëris. Më vjen shumë keq”. Gjashtë ditë pas publikimit, videoja ka marrë më shumë se 300 mijë shikime.

Zuckerbrot ndërpreu aktivitetin e kompanisë në vitin 2023, pas pasojave negative që kjo çështje pati për imazhin e saj. Sipërmarrësja e mirëpriti kërkimfaljen, por theksoi se ajo nuk mund të zhbëjë dëmin e shkaktuar. “Pas gjashtë vitesh, pranimi publik i së vërtetës sjell lehtësim”, u shpreh ajo, duke shtuar: “Një kërkimfalje nuk mund ta rindërtojë kompaninë që kam ndërtuar për 25 vjet, t’u kthejë punonjësve vendet e tyre të punës, apo t’i rikthejë familjes sime vitet dhe ndjenjën e sigurisë që kemi humbur”.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.