Kompania tha se kishte bllokuar llogaritë e ChatGPT-së që e përdornin modelin për të gjeneruar artikuj dhe propozime për tema shkrimesh, si dhe për të krijuar komente në rrjetet sociale.
Operacioni iranian ka nxjerrë në pah se si sistemet e inteligjencës artificiale, tashmë gjerësisht të qasshme, mund të keqpërdoren për të përhapur propagandë gjithnjë e më të sofistikuar kundër kundërshtarëve të një vendi, në një shkallë të paparë deri më tani.
Ndër tekstet që i atribuoheshin Hoskinsit ishte një me titullin “Jared Kushner dhe privatizimi i strategjisë së Amerikës ndaj Iranit”, i publikuar më 12 qershor nga PeaceVoice, një shërbim për shpërndarjen e opinioneve të intelektualëve publikë dhe të përmbajtjeve mediatike, i drejtuar nga Instituti i Paqes në Oregon.
Gjatë ditëve në vijim, i njëjti artikull u ribotua me tituj të ngjashëm nga CounterPunch, një revistë online amerikane e krahut të majtë, dhe LA Progressive, e cila e përshkruan veten si një “publikues i pavarur, i përkushtuar ndaj drejtësisë”, me seli në Los Anxhelos.
Interesat financiare personale të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, dhe të dërguarit të posaçëm të tij, aktivitetet e tij diplomatike dhe konfliktet e mundshme të interesit, janë trajtuar nga mediat kryesore amerikane, përfshirë një hetim të revistës The New Yorker.
Megjithatë, teksti i publikuar nga PeaceVoice, CounterPunch dhe LA Progressive, ndonëse thekson se Kushneri i ka mbrojtur marrëveshjet e tij të biznesit dhe se, sipas tij, akuzat nuk dëshmojnë korrupsion, është kryesisht i njëanshëm dhe i kushton pak hapësirë mbrojtjes së tij.
Teksti i lidh marrëdhëniet financiare të Kushnerit me konfliktet e mundshme të interesit dhe sugjeron se ato ndikojnë në politikën amerikane ndaj Iranit, por nuk paraqet prova të qarta për këtë pretendim.
Ai gjithashtu anashkalon arsye të tjera që qëndrojnë pas politikës amerikane ndaj Iranit, përfshirë shqetësimet për programin bërthamor të Teheranit dhe lidhjet e kahershme të SHBA-së me aleatë kyç, si: Izraeli dhe Arabia Saudite.
Teksti përdor gjithashtu terma si “privatizim”, të cilët e bëjnë të dukshëm qëndrimin e tij të njëanshëm editorial.
Gjashtë personazhe të tjera të rremë të gazetarëve u përdorën nga operativët iranianë. Secili kishte profile në rrjetet sociale, imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale dhe përforconte përmbajtjet e të tjerëve.
Inteligjenca artificiale po përdoret gjithashtu për t’u propozuar artikuj të gjatë mediave të vogla dhe të mesme në mbarë botën. Artikujt e gazetarëve të rremë u shfaqën jo vetëm në mediat amerikane me prirje nga e majta, por edhe në botime me prirje liberale.
Operacioni iranian i ka shtuar shqetësimet se qeveritë, përfshirë atë të Iranit, po përdorin modele të inteligjencës artificiale për të përhapur propagandë shtetërore dhe për të ndikuar në opinionin publik.
OpenAI tha se operacioni iranian arriti në kategorinë e katërt të shkallës së saj të përshkallëzimit të operacioneve të ndikimit (IO), e cila vlerëson ndikimin e mundshëm të një fushate dezinformimi. Kategoria e gjashtë është niveli më i lartë në këtë shkallë.
“Inteligjenca artificiale mund t’u japë operacioneve të tilla të maskuara një shkallë më të gjerë veprimi, efikasitet më të madh, rrjedhshmëri gjuhësore dhe aftësi më të mira editoriale”, tha OpenAI.
“Operatorët mund t’i shfrytëzojnë këto përparësi për të mashtruar viktima që nuk dyshojnë, si punonjës apo redaktorë, dhe për ta vendosur përmbajtjen e tyre para audiencave që nuk e kanë idenë se kush qëndron pas saj apo cilat janë motivet e tyre”.
OpenAI nuk është e vetmja kompani e inteligjencës artificiale e përfshirë në identifikimin e operacioneve të tilla.
Muajin e kaluar, kompania Anthropic tha se institucionet shtetërore iraniane po përdornin modele të inteligjencës artificiale, si aplikacioni Claude i saj dhe Gemini i Google-it, për të zhvilluar fushata të “luftës njohëse” dhe për të promovuar narrativa të krijuara nga Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare Islamike, dega elitare e forcave të armatosura të Iranit, e cila luan rol të rëndësishëm në politikë dhe ekonomi.
Anthropic tha se kishte ndërprerë gjithashtu operacione të aktorëve shtetërorë, përfshirë Iranin, të cilët përdornin Claude-in për të “ndërtuar, kryer dhe lehtësuar në forma të tjera operacione mbikëqyrjeje”, që kishin në shënjestër pakicat etnike dhe disidentët.
“Inteligjenca artificiale e ka bërë shumë më të lehtë prodhimin e propagandës në shumë gjuhë, krijimin e identiteteve të rreme dhe diskreditimin e kritikëve”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë Pooyesh Azizeddin, studiues i të drejtave të njeriut dhe teknologjisë, i cili merret me censurën në internet, mbikëqyrjen dhe lirinë digjitale në Iran.
“Nga ana tjetër, qeveritë autoritare shpesh e përdorin luftën kundër dezinformimit si pretekst për censurë, zgjerim të mbikëqyrjes dhe madje edhe për të ushtruar presion për zbulimin e identitetit të përdoruesve”, shtoi ai./REL
Lini një Përgjigje