Shiste kanabis pranë shkollës, arrestohet nga policia 15-vjeçari në Shkodër

10/10/2026 12:07

Një 15-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës, pasi u kap në afërsi të një shkolle në lagjen “Vasil Shanto”, me dhjetëra doza të dyshuara si lëndë narkotike Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.

Arrestimi u krye nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”.

Sipas njoftimit të policisë, 15-vjeçari, banues në Shkodër, u kap në flagrancë pranë institucionit arsimor. Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesën e tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza të dyshuara kanabisi.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa i mituri dyshohet se e posedonte atë për ta shitur.

Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.

Top Channel