Blutë e Shkodrës arrestuan një të mitur 15-vjeçar, në afërsi të një shkolle në lagjen “Vasil Shanto” me doza kanabisi.
Gjatë kontrollit fizik dhe në një ambjent të zbuluar nga policia, 15 vjecarit banues në Shkodër, iu gjetën dhjetëra doza kanabisi, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.
I mituri dyshohet të jetë shfrytëzuar nga grupet kriminale për shpërndarjen e drogës, pikërisht për shkak të moshës së tij, për të mos rënë në sy pranë shkollave, por të besohet se mund të jetë nxënës.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/ Vijon operacioni i koduar “Shkolla të Pastra”. Goditet një rast i tentativës për shitjen e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
U kap në flagrancë, afër një shkolle në lagjen “Vasil Shanto”, me doza Cannabisi, arrestohet.
Sekuestrohen dozat e lëndës narkotike.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike afër shkollave, ka bërë të mundur arrestimin e një shtetasi 15 vjeç, banues në Shkodër, autor i dyshuar i rastit.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë gjatë operacionit, në afërsi të një shkolle, në lagjen “Vasil Shanto”. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, iu gjetën dhjetëra doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.











Komente
Komento