Makolli: Kosova duhet t’i japë fund përplasjeve politike dhe të fokusohet te BE-ja e SHBA-ja

Pas dy vitesh vakum institucional, Kosova duhet të nisë një fazë të re të qeverisjes, të mbështetur në përgjegjësi politike, konsolidim të institucioneve dhe bashkëpunim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Kështu shprehet Vesel Makolli, i cili vlerëson se vendi nuk ka më kohë për zvarritje dhe konflikte politike.

Të lidhura

None found

Sipas Makollit, prioritetet e institucioneve të reja duhet të jenë zhvillimi i brendshëm, forcimi i demokracisë, përmirësimi i imazhit ndërkombëtar të Kosovës dhe rikthimi i besimit te partnerët strategjikë, veçanërisht te Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke komentuar protestat dhe nismën për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Makolli thotë se pritjet se përmes këtij ligji do të ndryshonin juridiksioni, mandati apo mënyra e funksionimit të kësaj gjykate kanë qenë të pabazuara.

Ai thekson se baza juridike e Dhomave të Specializuara të Kosovës përcaktohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës. Për këtë arsye, sipas tij, një ligj i tillë nuk do të mund të prodhonte efektet e synuara në aspektin juridik.

Image

Makolli vlerëson se, para ndërmarrjes së nismave të tilla, sidomos nga përfaqësuesit politikë, duhet të shqyrtohen me kujdes baza ligjore dhe mundësia reale që ato të sjellin ndryshimet e pretenduara.

Ai kritikon prirjen e shoqërisë për t’u përfshirë në kauza të ndikuara nga emocionet dhe nga glorifikimi folklorik, pa u analizuar më parë pasojat e tyre juridike dhe shtetërore. Sipas tij, kjo e bën shoqërinë të ekspozohet lehtë ndaj nismave që mund të mos i shërbejnë interesit kombëtar dhe shtetit.

Makolli shprehet se shqiptarët shpesh veprojnë në mënyrë euforike dhe nën ndikimin e një qasjeje folkloriko-glorifikuese, çka i bën të bien pre e kauzave të ndryshme, pavarësisht nëse ato janë të dobishme për kombin dhe shtetin.

Megjithatë, ai beson se protestat mund të kenë ndikuar në mënyrë të tërthortë në zhvillimet politike në vend. Sipas tij, ato krijuan një shtysë për tejkalimin e ngërçit institucional dhe ndihmuan në krijimin e kushteve për zgjedhjen e Presidentes.

Makolli thekson se ky ndikim nuk duhet parë i shkëputur nga zhvillimet e tjera politike, por në kuadër të rrethanave që çuan në kapërcimin e bllokadës institucionale.

Një element tjetër i rëndësishëm, sipas tij, është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj nismës ligjore. Ai vlerëson se Qeveria, de facto, nuk e ka mbështetur këtë ligj në praktikë.

Makolli konsideron se kjo qasje mund të krijojë mundësi për shmangien e përplasjeve të panevojshme me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe besimin e ndërtuar me ta.

Pas tejkalimit të ngërçit institucional, ai kërkon që Kryeministri dhe Presidentja e sapozgjedhur të angazhohen maksimalisht në ndërtimin e një qeverisjeje më të përgjegjshme dhe në realizimin e objektivave konkrete të vendit.

Sipas Makollit, konsolidimi institucional duhet të shënojë fillimin e një etape të re politike, në të cilën Kosova do të dëshmojë vullnet politik, pjekuri shtetërore dhe përkushtim ndaj interesave të saj.

Në këtë drejtim, ai kërkon diplomaci aktive, koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe rezultate konkrete, në vend të deklaratave politike. Vendi, sipas tij, duhet të ndërmarrë hapa të qartë për avancimin e integrimit evropian, thellimin e partneritetit me SHBA-në dhe përmbylljen e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.


Shtuar më 10.10.2026 12:49

Quantcast