Në kërkim nga Interpoli, por Milan Radoiçiç lëviz i lirë, publikohet fotoja krah djalit të Vuçiç

Kosovë&Rajon

Në kërkim nga Interpoli, por Milan Radoiçiç lëviz i
Edhe pse është shpallur në kërkim nga Interpoli, për sulmin terrorist që organizoi në Banjskë, ku humbi jetën efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Milan Radoiçiç vijon të jetë i lirë. 

Ish-kreu i partisë “Kista Serbe” është parë duke marrë pjesë në fushatën elektorale të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Serbi, krah djalit të kandidatit për kryeministër. 

Siç ka raportuar mediumi serb N1, Radoiçiç ka qëndruar krah Danilo Vuçiç, teksa ky i fundit kërkon vota që i ati të zgjidhet kryeministër i Serbisë.  

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Radoiçiç cilësohet si udhëheqësi dhe organizatori kryesor i një grupi kriminal të strukturuar prej 45 personash. Ndërkaq, në gusht të vitit 2026, Prokuroria Speciale ngriti një tjetër aktakuzë kundër Radoiçiç dhe 19 personave të tjerë serbë. Ai akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve shqiptarë në komunën e Gjakovës gjatë luftës, në periudhën 1998–1999. 

Sipas dosjes, ai ka vepruar si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, nën urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat dëbuan dhe plaçkitën civilë shqiptarë, si dhe kryen masakra ndaj tyre. Trupat e viktimave më vonë u gjetën në varrezën masive në Batajnicë. Për këtë rast, po kërkohet që ai të gjykohet në mungesë. 

Pavarësisht këtyre akuzave që rëndojnë mbi Radoiçiç, si dhe faktit që ai është shpallur në kërkim nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol), Serbia dhe Vuçiç vazhdojnë ta mbajnë nën mbrojtje. 

ME TE LEXUARAT