Deputeti socialist Erion Braçe i është përgjigjur ashpër kryeministrit Edi Rama, pas përplasjeve që kishin në mbledhjen e grupit të PS për reformën territoriale. “Nuk të lejoj të flasësh për votën time”, i thotë Braçe-Ramës pasi ngriti kartonin jeshil për të votuar territorialen, ndonëse e kritikoi ashpër si në mbledhjen e grupit të PS, por edhe në foltoren e Kuvendit duke thënë se nuk kemi të bëjmë me një reformë, por me një vizatim territorial.
Braçe i kërkon Ramës të sqarojë se cilat janë “duart e pista” që, sipas tij, kanë ndikuar në qëndrimin e deputetit, duke iu referuar një postimi të publikuar nga Rama fill pas miratimit të territoriales. Ndërsa e akuzon kryeministrin se brenda grupit të PS imponon vendimet e veta, nuk pranon mendimin ndryshe e as nuk merr përgjegjësi për gabimet e tij.
“E para, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time e me të të lëshojë flakërima ajri në mjedis kundër kujtdo që ka në mendje; nuk mund ta bëjë në emrin tim e duke përmendur votën time; unë, siç ai e pohoi në mbledhje, nuk kam votuar pro tij dhe e kishte numëruar “shumë herë” këtë, ndaj ta lërë këtu e me kaq. Ajo që kërkoj prej tij dhe ai ua ka detyrim socialistëve sot, është të thotë se cilat “duar të pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por të zbuluara tanimë”, më paskan ngatërruar mua. Derisa ta bëjë këtë, ka kohë të shohë tek vetja, po të dojë edhe rrotull tij, por më shumë tek vetja dhe të pranojë, jo thjesht ta thotë për nevojë fjalie e teksti, ta pranojë se aktet, vendimet që nuk janë të duhurat dhe janë gabim, burojnë edhe nga mënyra se si ai mendon, si i imponon, si i argumenton si më e mira e mundshme kur mundësia s'i është dhënë kurrkujt, si e pranon që të tjerë përtej tij kanë të drejtë, por jo tani e duke cenuar autoritetin e tij që duhet të jetë i padiskutueshëm, mu në atë formën që ta hedh fytyrës me arrogancë e të tjerëve mu si urdhër, “po si ti e paske mirë dhe i gjithë ky grup e ka gabim”, për të të relativizuar, zhvlerësuar, nëmur; ndërkohë që mund edhe të ishte, duke parë nga vetja, pse ti e paske mirë dhe një shumicë edhe më e madhe se një grup e paska gabim”, thotë Braçe.
Lajmi kryesor:
Braçe shpjegon votën pro Territoriales: Votova që të mos iki nga PS dhe të vazhdoj punën! Rama i dashuruar me pushtetin, të pranojë gabimet! Dhuna e disiplinës në PS, antidemokratike (VIDEO)








