Denoncimi i Berishës: Rama përdori Vlora Hysenin për të survejuar opozitarët dhe kundërshtarët brenda PS-së! Janë regjistruar edhe shërbime diplomatike

Në komunikimin me qytetarët në rrjetet sociale, lideri demokrat Sali Berisha, ka ngritur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke theksuar se kjo e fundit është përdorur për survejimin e opozitës dhe të kundërshtarëve politikë brenda Partisë Socialiste.

Berisha deklaroi se veprimtaria e ish-drejtueses se SHISH, Vlora Hyseni, ka qenë në funksion të karteleve të drogës dhe kundër interesave kombëtare të Shqipërisë.

Të lidhura

None found

“Rama ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të karteleve të drogës dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptarë, në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda PS. Janë bërë me qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve. Janë transferuar tek kartelet e drogës dhe te armiqtë e Shqipërisë çdo sekret shtetëror, përfshi të dhënat e TIMS-it”, tha Berisha duke theksuar se, “Vlora Hyseni shndërroi SHISH në një strofull kriminelësh, delikuentësh dhe shtojcë të organizatave kriminale”.

Berisha shkoi edhe më tej, duke thënë se grupi kriminal i Ergys Agasit, ka përdorur AKSHI-n dhe Vlora Hysenin për të regjistruar edhe shërbimet diplomatike.

“Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit. Grupi ka përdorur AKSHIN dhe Vlora Hysenin për të regjistruar opozitarët, shërbimet diplomatike në shkelje flagrante të konventës së Vjenës”, tha kreu i PD.


Shtuar më 10.10.2026 13:01

Quantcast