Partizani zyrtarizon afrimin e bujshëm para derbit, ish-lojtari i Shqipërisë firmos për të kuqtë

Partizani ka bërë publik vetëm pak minuta më parë transferimin e mesfushorit ofensiv Sebastjan Spahiu.

Futbollisti 26-vjeçar është bashkuar me klubin kryeqytetas si lojtar i lirë. Transferimi vjen një ditë përpara përballjes derbi ndaj Tiranës, e vlefshme për javën e 6-të të Abissnet Superiores.

Të lidhura

None found

Spahiu ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me “Demat e Kuq”, ndërsa marrëveshja përfshin edhe mundësinë e zgjatjes për një tjetër sezon.

Mesfushori shkodran vjen pas një periudhe pozitive te Shkëndija e Tetovës, ku luajti edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Sipas klubit, realizimi i këtij transferimi u ndihmua edhe nga angazhimi i ish-sulmuesit të Partizanit, Xhevahir Sukaj. Spahiu është prezantuar nga presidenti i klubit, Gazment Demi.

Futbollisti ka veshur edhe fanellën e Kombëtares shqiptare. Debutimi i tij me kuqezinjtë u regjistrua më 10 shtator 2024, në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, në kohën kur ekipi drejtohej nga Sylvinho.

Gjatë karrierës në nivel klubesh, Spahiu ka luajtur në Spanjë për CD Guijuelo dhe CD Izarra, ndërsa në kampionatin shqiptar ka qenë pjesë e Laçit dhe Egnatias.


Shtuar më 10.10.2026 13:10

Quantcast