Kosova organizon konferencë rajonale për integritetin financiar në kuadër të Procesit të Berlinit

Ministria e Financave e Republikës së Kosovës zhvilloi në Prishtinë konferencën rajonale “Beyond Compliance: Building Resilient Economies Through Financial Integrity” (Përtej pajtueshmërisë: Ndërtimi i ekonomive reziliente përmes integritetit financiar), në kuadër të Procesit të Berlinit. Kjo ishte hera e parë që Qeveria e Kosovës organizoi një aktivitet pjesë e këtij procesi, ndërsa bëhet fjalë për ngjarjen e dytë të Procesit të Berlinit që mbahet në Prishtinë gjatë këtij viti.

Të lidhura

None found

Konferenca u hap me fjalimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, i cili përfaqësoi shtetin që këtë vit kryeson Procesin e Berlinit, si dhe zëvendësambasadores së Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, në përfaqësim të vendit që e ka iniciuar këtë proces.

Aktiviteti mblodhi zyrtarë të institucioneve vendore e rajonale, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë të fushës. Diskutimet u përqendruan te parandalimi dhe luftimi i financave të paligjshme, përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërkufitar, si dhe te roli i hetimeve financiare dhe rikuperimit të pasurive që burojnë nga veprimtaria e paligjshme.

Pjesëmarrësit nënvizuan se respektimi formal i standardeve dhe detyrimeve ligjore nuk mjafton pa një zbatim të efektshëm në praktikë, koordinim mes institucioneve dhe shkëmbim të rregullt të informacionit. Duke qenë se financat e paligjshme shtrihen përtej kufijve shtetërorë, përballja me këtë dukuri kërkon bashkëpunim të pandërprerë mes vendeve të rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Takimi krijoi mundësi për ndarjen e përvojave dhe praktikave të suksesshme, me synim përparimin e integritetit financiar, konsolidimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit te institucionet. Një tjetër objektiv ishte mbështetja e ekonomive më transparente, të qëndrueshme dhe reziliente.


Shtuar më 10.10.2026 13:31

Quantcast