Deputeti socialist Erion Braçe i kërkon kryeministrit Edi Rama të pranojë përgjegjësinë për gabimet e qeverisjes, duke e akuzuar se e ka shpërdoruar pushtetin me ministra e drejtorë të padenjë. Braçe thotë se Rama duhet të tregojë që pushtetin nuk e ka personal dhe të jetë i gatshëm t'u transferojë më shumë kompetenca dhe autonomi financiare bashkive.

"E pesta, unë qëndrova për REFORMËN, për të na votuan, jo për hartën; besojeni ose jo, por ajo hartë bëhet e keqe pa reformën, jo thjesht si hartë; ndryshon për keq e brutalisht jetën e njerëzve në bashkitë që përthithen dhe bashkitë qendër, pa reformën, jo thjesht si hartë. Unë mendoj që REFORMA E PUSHTETIT dhe e pushtetit vendor është mundësia që është përpara: Qeveria të transferojë masivisht pushtet, kompetenca, funksione, buxhet, tatime e taksa, të ardhura, prona e mundësinë e përdorimit për qëllime ekonomike, mundësi investimi, tek pushteti vendor. Ky është pushteti i njerëzve, është ai ku ata përballen çdo ditë dhe është pushteti më legjitim, i zgjedhur, sesa pushteti që u është dhënë drejtorëve të qeverisë. Është pushteti që duhet të shërbejë me fuqi, kompetenca, funksione, buxhete, politika të mbështetura e financuara prej tyre realisht, ndryshe nga kompetencat formale e deri banale që me të drejtë as i ushtron kush. Të kontrollohet doemos. A është e vështirë të bëhet? Pooo, e vështirë është. Në 4 ditë pyeta shpesh: A ËSHTË GATI QEVERIA TË LËSHOJË E TRANSFEROJË PUSHTET NË NIVELIN VENDOR? Nuk mora asnjëherë përgjigje të qartë e që tregon se deri ku do të shkojë qeveria me dy parime kushtetuese të këtij pushteti, decentralizimin dhe autonominë financiare; po e rikujtoj, për këtë e jo njoftimin e hartës apo votës sime, na kanë votuar. A besoj unë tek kjo? Pooo! A besoj unë se do ndodhë kjo? Deri diku po, por jo plotësisht.

Edi Rama e ka të lehtë të njoftojë rrugën time ose, siç thonë disa rreth tij, se çfarë më pret mua. Por unë mendoj që e ka të vështirë të lëshojë pushtet. Ai është i dashuruar me pushtetin, fuqinë e autoritetin që ai jep; e ka përdorur për mirë shpesh duke bërë mirë e sjellë ndryshime në këtë vend; e ka deleguar po për mirë, siç e ka shpërdoruar në mënyrë të përsëritur në ministra e drejtorë të padenjë; ka bërë gabime, të rënda disa, që duhet t'i pranojë nominalisht si të tijat, jo thjesht si të të gjithë atyre që nuk paskan qenë të denjë përkrah tij, në rrugën e tij. Të marrë e mbajë përgjegjësi. Të japë një shenjë që pushtetin nuk e ka personal, nuk e ushtron si të tijin, por e ndan siç Kushtetuta e ka caktuar, me pushtete të tjera të ligjshme e sovrane, të pavarura e që duhet të jenë funksionale, deri në fund, të pacenuara apo përgjysmë si vullnet disiplinues i maxhorancës të zbehur në njoftime, qoftë edhe si hartë.

Unë qëndrova për këtë, për punën që jam votuar të bëj, asgjë tjetër! Pata në mend vetëm ata njerëz që më kanë votuar në 30 vite. Tani në fund ata 25 mijë njerëz, ata socialistë të cilët mendojnë se i ndihmoj kështu, duke qëndruar dhe duke luftuar shpresoj shumë të keni durimin të shihni e dëgjoni. Lexoni përtej 25 sekondave, ato janë të mjaftueshme për të sharë, por jo për të ditur e kuptuar. Besoj që shpjegova e dhashë llogari për votën time. Faleminderit të gjithëve dhe ju kërkoj pafund ndjesë njerëzve të mi në Polican, në Urë, në Divbjakë, në Maliq, Libohovë dhe kudo në bahskitë që u prekën nga vota ime", shprehet Braçe. 


Lajmi kryesor:

Braçe shpjegon votën pro Territoriales: Votova që të mos iki nga PS dhe të vazhdoj punën! Rama i dashuruar me pushtetin, të pranojë gabimet! Dhuna e disiplinës në PS, antidemokratike (VIDEO)