VLEN ka reaguar për rastin e dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë raportuar se janë keqtrajtuar nga zyrtarë policorë. Partia shpreh shqetësimin për ngjarjen dhe solidarizohet me familjet e tyre, duke theksuar se çdo qytetar ka të drejtën për trajtim dinjitoz, mbrojtje dhe drejtësi.
Të lidhura
None found
Si forcë politike shqiptare në pushtet, VLEN deklaron se e ka ndjekur nga afër situatën dhe është angazhuar për të qenë e informuar mbi zhvillimet e rastit. Sipas saj, uniforma nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën, ndërsa çdo tejkalim i autoritetit apo shkelje ligjore duhet të pasohet me përgjegjësi.
Partia vlerëson se, nëse hetimet provojnë se zyrtarët policorë kanë dalë jashtë kompetencave të tyre, ndaj tyre duhet të merren masat përkatëse në përputhje me ligjin.
VLEN mirëpret nisjen e hetimit nga mekanizmat kompetentë të kontrollit të brendshëm dhe kërkon që procesi të kryhet me seriozitet, paanshmëri dhe transparencë, deri në sqarimin e plotë të rrethanave. Gjithashtu, i bën thirrje Prokurorisë që, mbi bazën e provave dhe përfundimeve të hetimit, të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm ligjor.
Partia e konsideron të gabuar përpjekjen e opozitës për t’i dhënë rastit karakter nacionalist dhe për ta përdorur atë si nxitës të tensioneve ndëretnike. Sipas informacioneve të bëra publike, zyrtarët policorë të dyshuar për përfshirje në ngjarje u përkasin tri etnive të ndryshme. Për këtë arsye, VLEN nënvizon se përgjegjësia duhet të përcaktohet vetëm nga faktet, provat dhe veprimet konkrete të secilit, jo nga përkatësia etnike.
Të drejtat e qytetarëve, dinjiteti njerëzor dhe respektimi i ligjit, thuhet në reagim, nuk lidhen me përkatësinë etnike. VLEN dënon çdo formë dhune, pavarësisht autorit apo viktimës, si edhe çdo tentativë për ta shfrytëzuar rastin për të nxitur urrejtje, ndasi dhe tensione mes qytetarëve.
Familja dhe dy të rinjtë, sipas VLEN-it, meritojnë që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend. Rasti nuk duhet të shndërrohet në përplasje politike, por të trajtohet si çështje institucionale që kërkon përgjegjësi, zbatim të ligjit dhe besim në drejtësi. Hetimi duhet të përfundojë, ndërsa nëse konstatohen shkelje, përgjegjësit duhet të përballen me pasojat, pa përjashtime dhe pa dallime.







