‘Më të mëdha se mali i Dajtit’/ Berisha: Do krijojmë Agjencinë Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme

13:07, 10/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve për korrupsionin dhe kthimin e parave të abuzuara me fondet publike, kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se do të krijojë një Agjenci Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme.

Berisha theksoi se pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme janë në përmasa gjigante dhe të fshehura në llogari bankare në vende të ndryshme të botës.

Gjithashtu lideri i opozitës akuzoi Edi Ramën, anëtarë të qeverisë dhe persona të lidhur me trafikun e drogës për pasuri të paligjshme, ndërsa premtoi se një kuadër i ri ligjor do të mundësojë kthimin e tyre te qytetarët shqiptarë.

Pyetje-përgjigje

Keti Lile. Ne, qytetarët, dëgjojmë çdo ditë akuza për korrupsion, por duam të dimë, si do të siguroni që përgjegjësit të përballen me drejtësinë dhe që paratë e abuzuara me fondet publike të kthehen?

Sali Berisha: Faleminderit Keti. Kjo është një çështje themelore, por fatmirësisht praktikat ekzistojnë, nuk mbetet të shpikim ne.

Ne e kemi shpallur, do të krijojmë Agjencinë Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme, të cilat janë më të mëdha se mali i Dajtit, të cilat janë të fshehura në të katër anët e planetit në kontot bankare në miliarda të Edi Ramës, narkoqeveritarëve të tij, trafikantëve të drogës, zyrtarëve e të tjerë.

Pra, jap garanci të plotë se me një kuadër të ri ligjor kjo agjenci do t'i rikthejë në vlera për qytetarët shqiptarë të gjitha pasuritë e plaçkitura, të grabitura apo të vendosura nga veprimtari kriminale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco