Në Shijak u finalizua operacioni policor i koduar “Baza”, kundër armëmbajtjes pa leje. Bazuar në të dhënat e Inteligjencës, blutë kontrolluan banesën e shtetasit A.I., 32 vjeç, në fshatin Koxhas-Kodër, Xhafzotaj.
U gjetën dhe u sekuestruan si provë materiale dy armë zjarri automatike, dy krehra me nga 10 fishekë secili e shuma 32.500 euro. Shtetasi A.I. u arrestua në flagrancë.
Njoftimi i plotë:
Shijak/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri automatike, municion luftarak dhe 32.500 euro.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas mbante armë zjarri pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Baza”.
Si rezultat i operacionit, në fshatin Koxhas-Kodër, Xhafzotaj, Shijak, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. I., 32 vjeç, banues në Shijak.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
2 armë zjarri automatike, 2 krehra me nga 10 fishekë secili, një shumë prej 32.500 eurosh.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. I., 32 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.