Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar një ditë pasi theu premtimin e tij dhe votoi pro Reformës Territoriale që u miratua në Kuvend me 85 vota. Ai u shpreh i ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama duke i thënë se nuk ia lejon të flasë për votën e tij.
Teksa i kërkoi Ramës të sqaronte se cilat duar të pista e kishin ndikuar Braçen në qëndrimin e mbajtur, deputeti e akuzoi Ramën se imponon qëndrimet e tij brenda PS, nuk pranon mendiemt ndryshe dhe nuk merr përgjegjësi për gabimet që bën.
“E para, nuk ia lejoj Edi Ramës të flasë për votën time e me të të lëshojë flakërima ajri në mjedis kundër kujtdo që ka në mendje; nuk mund ta bëjë në emrin tim e duke përmendur votën time; unë, siç ai e pohoi në mbledhje, nuk kam votuar pro tij dhe e kishte numëruar “shumë herë” këtë, ndaj ta lërë këtu e me kaq. Ajo që kërkoj prej tij dhe ai ua ka detyrim socialistëve sot, është të thotë se cilat “duar të pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por të zbuluara tanimë”, më paskan ngatërruar mua. Derisa ta bëjë këtë, ka kohë të shohë tek vetja, po të dojë edhe rrotull tij, por më shumë tek vetja dhe të pranojë, jo thjesht ta thotë për nevojë fjalie e teksti, ta pranojë se aktet, vendimet që nuk janë të duhurat dhe janë gabim, burojnë edhe nga mënyra se si ai mendon, si i imponon, si i argumenton si më e mira e mundshme kur mundësia s'i është dhënë kurrkujt, si e pranon që të tjerë përtej tij kanë të drejtë, por jo tani e duke cenuar autoritetin e tij që duhet të jetë i padiskutueshëm, mu në atë formën që ta hedh fytyrës me arrogancë e të tjerëve mu si urdhër, “po si ti e paske mirë dhe i gjithë ky grup e ka gabim”, për të të relativizuar, zhvlerësuar, nëmur; ndërkohë që mund edhe të ishte, duke parë nga vetja, pse ti e paske mirë dhe një shumicë edhe më e madhe se një grup e paska gabim”, thotë Braçe. Versus.al


