Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se, përmes ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale, synon të kufizojë hetimet për korrupsionin dhe të zhvlerësojë provat që mund të implikojnë anëtarë të qeverisë.
Berisha kritikoi edhe SPAK-un dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për mungesën e reagimit ndaj paketës ligjore, duke e cilësuar heshtjen e tyre të turpshme.
Në bashkëbisedimin me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha theksoi se ndryshimet rrezikojnë përdorimin në gjykatë të materialeve të siguruara nga telefonat dhe serverat e enkriptuar, si dhe kufizojnë mundësinë e mediave për të publikuar informacione mbi dosjet penale.
Ai i cilësoi këto nisma si përpjekje për të mbrojtur Ramën dhe rrethin e tij politik, ndërsa deklaroi se PD-ja do të publikojë materialet që, sipas tij, synohet të mbahen të fshehta.
Pyetje-përgjigje
Muharrem Kurti: Doktor, ju përshëndes. Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale kanë nxitur debate për ndikimin e tyre te hetimet e korrupsionit. Cilat dispozita konkrete mendoni se mund të kufizojnë punën e SPAK-ut dhe çfarë duhet të, të, të, të, të ndryshojë në projektligj? Faleminderit.
Sali Berisha: E vërteta është, organizatës socialiste të partisë që quhet SPAK, partia ia hoqi dhëmbë dhe dhëmballë.
Dhe ajo që më bën përshtypje Muharrem është se kjo paketë ligjore, e cila bën të pamundur hetimin, kjo paketë ligjore e cila de facto bllokon hetimin, ka krijuar shqetësim ndërkombëtar, dhe nuk ka asnjë fjalë nga organizata e partisë së SKAP-it për këtë paketë.
Nuk ka asnjë fjalë nga KLP-ja e partisë, këshilli i prokurorëve. Prokurorëve u është hequr e drejta të nisin hetime pa njoftuar personin mbi bazën e informacioneve të mjaftueshme për të nisur hetimin.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, mos bëj më asnjë hetim. Kjo do të thotë që, mos kujto se po të hetoj. Kjo është tallje, përqeshje.
S'ka diskutim që mbi bazën e informacioneve, të dhënave të shumëanshme, qoftë dhe të mediave, qoftë dhe të qytetarëve, të institucioneve, institucioni i akuzës duhet të ketë të drejtë të nisë hetimin dhe të vazhdojë hetimin. Në rast se i rezulton pa fakte, sigurisht që e ndërpret, por në rast se plotësohet, ndërton akuzën.
Por tani që është Edi Rama në shigjeta dhe rrethi i tij, tani nuk quhet më i vlefshëm asnjë hetim që mund të kenë filluar kundra tij mbasi s’e kanë njoftuar.
Së dyti, SKAP-istët nuk flasin, por ata duhet ta dinë që kanë një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhe heshtja e tyre është heshtje turpi.
Nuk flasin për faktin se, provat u zhvlerësohen me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Të gjitha mesazhet e Edi Ramës dërguar Lubi Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të tjerë me radhë, meqenëse janë marrë pa vendim gjykate, nuk kanë vlerë.
Unë isha në Strasburg dhe e shtrova këtë problem.
Pse? Sepse regjistrimi i bandave kriminale nga servera të fshehtë, të cilët ato mendonin se nuk i di njeri, nxori në pah se krimi i Shqipërisë e vogël ishte një ajsberg i madh, ishte një gjigant. Se gjuha jonë shqipe, ishte gjuha e dytë e përdorimit të bandave pas anglishtes. Dhe kjo jo se banditë të shteteve të tjera kanë mësuar shqip. Jo, jo. Po se shqiptarët ishin kaq të panumërt, të angazhuar në organizata kriminale saqë e bënin gjuhën shqipe të dytën.
Numri i telefonave të kriptuar ishte 65 mijë. Nga këta, 15 mijë në duar të shqiptarëve. Flisnin shqip.
Më falni, 73 telefona të kriptuar në kryeministri.
Dy ose tre telefona të kriptuar Edi Rama.
Telefon të kriptuar, sipas disa burimeve, Sokol Sadushi.
Dy telefona të kriptuar Tulet Balla... se s'dua t’ia përmend emrin.
Pra, i gjithë ky material, këto dosje që dalin, janë të gjitha të këtij materiali, mos mendoni se janë të këtushme, aty vetëm nga Franca janë nja pesë dosje të tjera të pahapura fare.
Gjithë ky material u përpoq të zhvlerësohej se janë regjistrime pa lejen e gjykatësit.
Gjykata e Strasburgut i quajti valide për gjykata. Gjykata franceze i quajti të vlefshme për prova për gjykata.
Edi Rama, pavarësisht nga kjo, e çoi në Gjykatë Kushtetuese, u dha nja 10 milionë, u përpoq të ndryshojë tekstin nga vendimi, u bë një kaos, por në fund nuk e ndryshuan dot.
Tani, çfarë po bën Edi Rama i dashur?
Tani Edi Rama po i zhvlerëson provat e marra nga celularët dhe në servera, pa vendim gjykate nuk vlejnë për proces.
Pra, mbron veten e tij. Po mbron Olsin e tij, po mbron Lindën e tij, po mbron narko-qeverinë e tij.
Pra, ato të cilat gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg i sanksionoi si prova të vlefshme për gjykata, ky do t'i zhvlerësojë me ligj.
Tjetër, kjo paketë është paketë absolutisht staliniste.
Kjo bllokon totalisht, censurë totale ndaj mediave. Mediat tani nuk mund të japin asnjë informacion, përkundrazi dënohen në qoftë se botojnë.
I ftoj mediat, çdo material ta sjellin në Partinë Demokratike dhe e garantoj se ajo do t'i publikojë, do t'i publikojë çdo ditë!
Ata që përpiqen të fshehin krimin, ata kujtojnë se shqiptarët do flenë mbi dosjet e krimit.
Tjetër tani, për ta mbrojtur qytetarin, dëgjoni tani, në qoftë se prokuroria fton një qytetar si person që ka dijeni, gjëja më normale, alfa, tani Edi Rama detyron qytetarin të marrë avokat. Një gjobë shtesë.
Dhe Dhoma e Avokatisë nuk flet një fjalë! Të marrë avokat, po ai që s'ka të paguajë avokatin? Ia paguan qeveria avokatin?
Pra, gjithçka është për të shkatërruar institucionin e akuzës. Por, anëtarët e organizatës së Partisë Socialiste SKAP, nuk shqipërojnë një fjalë të vetme.
Histori turpi, histori nënshtrimi.
KLP-ja, qeveria e prokurorisë e akuzës, nuk shqipëron një fjalë të vetme.
Këto janë dëshmi të një kontrolli të plotë dhe total të Edi Ramës mbi institucionet e drejtësisë.
© SYRI.net