Hamza shënon 27-vjetorin e PDK-së: Jemi partia e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit që nuk u përkulën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përcjellë urimet e tij me rastin e 27-vjetorit të themelimit të partisë.

Të lidhura

None found

Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, Hamza deklaroi se PDK-ja ka dhënë kontributin më të madh në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit.

Ai theksoi se detyrë e partisë është ruajtja e trashëgimisë së saj politike dhe vijimi i angazhimit për një Kosovë me më shumë zhvillim, mundësi dhe perspektivë për qytetarët.

Hamza përmendi edhe ish-kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët ndodhen në Hagë, duke nënvizuar se ata, sipas tij, nuk u thyen dhe nuk u përkulën asnjëherë.

“Partia Demokratike e Kosovës lindi nga fryma e rezistencës, në një kohë kur Kosovës i nevojiteshin më shumë se kurrë forca, guximi, vizioni dhe përkushtimi. Ne jemi forca politike me kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Jemi partia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët nuk u thyen dhe nuk u përkulën kurrë”, ka shkruar Hamza.


Shtuar më 10.10.2026 14:27

Quantcast