Meta për Syri.net: Opozita të nisë përgatitjet për zgjedhjet lolale, të garantojë zhbërjen e aktit mizor të 85 ‘diellave’

Meta për Syri.net: Opozita të nisë përgatitjet për zgjedhjet lolale, të garantojë zhbërjen e aktit mizor të 85 ‘diellave’

14:12, 10/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ilir Meta ka akuzuar Edi Ramën se reforma e re administrativo-territoriale synon centralizimin e pushtetit dhe shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë, duke paralajmëruar se opozita duhet të nisë që tani përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Në një intervistë ekskluzive për Syri.net, Presidenti i Partisë së Lirisë deklaroi se shkrirja e 15 bashkive është një akt arbitrar dhe premtoi se opozita duhet të garantojë zhbërjen e tij.

Meta kritikoi edhe qëndrimin e institucioneve europiane ndaj Shqipërisë, duke argumentuar se vlerësimet pozitive për procesin e integrimit nuk pasqyrojnë problemet me zgjedhjet, korrupsionin dhe standardet demokratike.

Intervista:

Syri.net: Z. Meta, përfundimisht Edi Rama e miratoi Reformën Administrative - Territoriale me 85 vota duke shkrirë 15 bashki, siç parashikonte projekti i tij fillestar. Çfarë i mbetet opozitës për të bërë në këto kushte kur brenda pak javësh, Presidenti do të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore të 2027?

Ilir Meta: U provua qartë se nuk kemi të bëjmë me një Reformë, por me një akt diktatorial që synon të arrijë jo vetëm një stad shumë më të lartë të centralizimit edhe të pushtetit vendor e bashkë me të, të financave vendore, prokurimeve, resurseve natyrore, kontrollit patronazhist të administratës vendore dhe territorit, por edhe me një objektiv të qartë, thellimin e shpopullimit të mëtejshëm të vendit dhe zonave rurale.

U justifikuan se shkrirja e 15 bashkive ishte pasojë e pakësimit të popullsisë në këto 12 vite.

Por e vërteta është se kalimi nga gati 400 njësi vendore në 61 bashki, nuk u përdor për të përmirësuar menaxhimin e pushtetit vendor dhe garantuar shërbime më të mira në ish-komunat e shkrira, por solli braktisjen e tyre të plotë, sepse investimet u përqendruan në qendrat e bashkive ku interesat ekonomike dhe elektorale ishin më të mëdha.

Ndaj, ndërkohë që duhej të reflektohej duke dëgjuar qytetarët dhe rishikuar hartën përmes zgjerimit të arsyeshëm, bazuar në dialog me opozitën dhe komunitetet, u kalua në një sjellje jo vetëm të njëanshme e antikushtetuese, por edhe përçmuese ndaj qytetarëve që kundërshtonin me të drejtë.

U injoruan edhe qëndrimet e këshillave bashkiake edhe pse vetë këshilltarët socialistë ishin kundër këtij projekti arbitrar.

Po kështu, ishin publike rastet kur ata bashkë edhe me disa kryebashkiakë socialistë kërcënoheshin dhe përziheshin nga mbledhjet e Asamblesë.

Pastaj, kulmi i gjithë kësaj maskarade të këtij shteti policor, ishte dhuna  ndaj qytetarëve para Parlamentit ku do të veçoja ato pamje primitive të dhunës shtazarake ndaj kryetarit të Bashkisë së Memaliaj, Z. Arben Malaj, ku gati 10 policë ushtruan një dhunë skizofrenike ndaj një kryebashkiaku të zgjedhur e tërësisht paqësor.

Këto pamje dhune iahin "dialogu" dhe "dëgjesa” e vërtetë e farsës më të re.

Lidhur me qëndrimin e opozitës, mendoj se ajo veproi shumë mirë që mori pjesë aktive në komisionin parlamentar dhe dëgjesat publike që u organizuan.

Po kështu, që paraqiti edhe projektin e saj alternativ, pasi PS në mënyrë të njëanshme ndërpreu bashkëpunimin dhe bëri fakt të kryer projektin e saj të paracaktuar me 46 bashki, të cilin më pas ua shpërndau edhe këshillave bashkiake për ta diskutuar, ku siç u dokumentua, të gjitha këshillat bashkiake në të 15 bashkitë votuan kundër bazuar në argumente tepër solide.

Me qëndrimin e saj bashkëpunues opozita tregoi respekt dhe përgjegjshmëri ndaj qytetarëve, por edhe respekt ndaj rregullave demokratike.

Po kështu, i hoqi çdo alibi Edi Ramës për të fajësuar opozitën si në të shkuarën për bojkot.

Të gjithë shqiptarët, e së pari vetë socialistët, e sidomos ata në 15 bashki e provuan "besën" e Akrepit, i cili dënoi me dëbim nga vatrat e tyre gati 300 mijë shqiptarë, të cilët ose duhet të ikin drejt qyteteve më të mëdha ose të largohen nga vendi.

Por kjo nuk duhet të ndodhë se pikërisht këtë kërkon Kryeministri më i mirë i Serbisë që pas Pashiçit, siç e cilësoi gazetari i mirënjohur gjerman, Michael Martens.

Themi Kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiçit përsa i takon përzënies së shqiptarëve nga trojet e tyre, sepse ky është krejt inferiror me politikat që Qeveria e Serbisë bën për qytetarët e saj.

Mjafton t’ju përmend faktin se norma e lindshmërisë në Serbi është tre herë më e lartë se në Shqipëri.

Ose mjafton të përmend faktin se ndërsa Edi Rama jep 400 euro bonus për beben e parë dhe 800 euro bonus për beben e dytë, Serbia jep 4260 euro për beben e parë, 5112 euro për beben e dytë, 19,427 euro për beben e tretë dhe 27.000 euro për beben e katërt.

Nuk po krahasojmë këtu politikat e tjera për nivelin e pagave, strehimit, investimeve të huaja apo mbështetjen e bujqësisë, që është gati 20 herë më e lartë se në Shqipëri.

Dhe të mos harrojmë që edhe Serbia është një vend autokratik dhe me probleme serioze me korrupsionin.

Por kurrë si Shqipëria.

Mjafton të shikoni nivelin e të ardhurave që mblidhet në Serbi në raport me PBB që është 41% nga 28% që është në Shqipëri.

Por kjo diferencë 13% do të thotë 4 miliardë euro të vjedhura çdo vit nga Qeveria në sistemin e të ardhurave ose 16 miliardë euro në një mandat qeverisës.

Dhe këta gjoja duan të kursejnë "thërrimet" te 15 bashki.

Jo ky është një mashtrim i pacipë, këta duan të shpopullojnë Shqipërinë nga shqiptarët.

Po kështu, të shkombëtarizojnë popullin tonë duke i goditur atij traditat, identitetin, trashëgiminë kulturore, historinë dhe patriotizmin.

Jo më kot kreu i organizatës u shpreh se slogani që urrente më shumë ishte "Shqipëria e shqiptarëve" .

Po përse kjo urrejtje?

Po e kujt duhet të jetë Shqipëria?

E Ronit? McGonigalit? Deripaskës? Rosinit? Sanileviçit? Gjeneral Lisit?

Ndaj opozita jo vetëm që duhet të nisë përgatitjet për zgjedhjet lokale që tani, por edhe të garantojë qytetarët e 15 bashkive që në rastin më të parë, akti mizor i 85 "diellave" do të zhbëhet.

Dhe që kjo të ndodhë ato jo vetëm nuk duhet të largohen, por duhet të qëndrojnë dhe ndëshkojnë pabesinë e “Rilindjes” që në zgjedhjet vendore që po afrohen.

Njëkohësisht duhet bërë gjithçka që të zhbëhet ky Parlament i inkriminuar dhe të shkohet drejt një Qeverie Teknike për zgjedhjet parlamentare, si në Maqedoninë e Veriut.

Po kështu, këtë proces farsë dhe antidemokratik opozita duhet t'ua sqarojë edhe gjithë vendeve anëtare të BE dhe institucioneve ndërkombëtare, pasi janë cenuar rëndë parimet e autonomisë vendore dhe decentralizimit.

Syri.net: A besoni se mund të sensibilizohen ndërkombëtarët dhe europianët nga këto cënime standardesh që janë bërë rutinë? Ndërkohë që Presidentja e Komisionit Europian foli pozitivisht për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Ilir Meta: Nuk duhet ngatërruar dëshira e Komisionit Europian për të inkurajuar Shqipërinë me situatën skandaloze të standardeve europiane në Shqipëri, që nga mungesa e zgjedhjeve të ndershme, presioni ndaj medias, niveli i përkeqësuar i korrupsionit kur Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Z. David McCallister, u detyrua t'i referohej edhe rënies me 11 vende në raportin e Transparency International.

Për Presidenten e Komisionit Europian mjafton linjëzimi i Shqipërisë në politikën e jashtme me atë të BE që do e bënte çdo Qeveri për të qenë e kënaqur.

Natyrisht që po të kishte patur kohë më shumë e të kishte parë çmimet në ndonjë supermarket do ishte habitur se do konstatonte se për shumë produkte, e sidomos për bulmetin, çmimet janë shumë më të larta se në Gjermani dhe në BE.

Dhe një nga arsyet është se për shkak të vjedhjes së fondeve të IPARD-it nga Qeveria, Shqipëria ka humbur gati 300 milionë euro këto 3 vite që duhej t'i shkonin fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë, të cilët janë të braktisur edhe nga buxheti i shtetit.

Por këto janë hollësi të parëndësishme për të e çdo të huaj që kalon me eskortë policie në Tiranë e shikon plot kulla e ndërtime ndërkohë që jo vetëm 50 mijë apartamente janë bosh, por edhe se shumica e të rinjve e kanë të pamundur të blejnë një apartament në periferi të Tiranës, e planifikojnë të largohen drejt Gjermanisë dhe Europës.

Dhe ju e dini që në Gjermani thonë më mirë të na vijnë shqiptarë dhe ballkanas se sa aziatikë e afrikanë.

Por për ne këto janë probleme madhore që duhet t'i zgjidhim vetë pasi ne jemi të dëmtuarit kryesorë dhe jo Europa.

Dhe pikërisht 1 milionë shqiptarë janë larguar drejt Europës për shkak të përkeqësimit të standardeve europiane në Shqipëri.

Tolerimi nga BE i cënimit të Kritereve të Kopenhagenit për vende si Shqipëria edhe për shkak të luftës në Ukrainë, nuk mund të na kompleksojë ne për të mos toleruar për asnjë moment degradimin e shtetit të së drejtës këtu dhe kapjen e tij nga një organizatë kriminale siç është faktuar botërisht edhe me skandalin e AKSH-it ku janë provuar si të përfshirë edhe ish-kreu i SHISH apo ish-kreu i Policisë së Shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco