Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar për reshje intensive dhe shtrëngata gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, me rrezik për rrëshqitje dherash dhe vërshime uji në disa zona të vendit.
Sipas parashikimit, reshjet me intensitet të lartë pritet të përqendrohen në qarkun e Vlorës. Në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjera reshjet pritet të jenë me intensitet mesatar.
IGJEO paralajmëron se reshjet e dendura dhe shtrëngatat mund të shkaktojnë problematika, përfshirë rrëshqitje të dherave dhe vërshime të ujit në zonat urbane.
Rreziku për vërshime në qarqet Vlorë dhe Durrës do të varet edhe nga gjendja dhe kapaciteti i sistemeve të kanalizimeve për përballimin e prurjeve të ujit.
Sa u përket temperaturave, në zonat bregdetare ato pritet të luhaten nga 18 deri në 20 gradë Celsius, në zonat e ulëta nga 17 deri në 20 gradë, ndërsa në zonat malore nga 12 deri në 17 gradë Celsius.
Era gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme parashikohet të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, por në momente të caktuara mund të forcohet.


