Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, për survejimin e kundërshtarëve politikë, përfshirë edhe kundërshtarët e tij brenda Partisë Socialiste. Berisha i cilësoi antikushtetuese rrëzimin e kërkesës së PD-së për mocion me debat në Kuvend dhe pretendoi se opozitës iu mohua një e drejtë kushtetuese.
Gjithashtu Berisha ngriti akuza të rënda për përdorimin e SHISH-it dhe AKSHI-t, duke pretenduar se janë kryer regjistrime të paligjshme të opozitarëve dhe se të dhëna shtetërore, përfshirë ato të sistemit TIMS, u janë përcjellë organizatave kriminale dhe armiqve të Shqipërisë.
"Rrëzimi i mocionit me debat nga deputetët e krimit dhe parlamenti i krimit ka dy aspekte. Aspekti i parë është një akt antikushtetues. Qytetarët duhet ta dinë se opozitës shqiptare iu mohua e drejta kushtetuese e mocioneve me debat. Aspekti tjetër është se Edi Rama ka përdorur Vlora Hysenin dhe institucionin që ajo ka drejtuar, në funksion të karteleve të drogës, organizatave kriminale dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare.
Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste. Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve. Janë transferuar tek kartelet e Troplinit, Çelës dhe kartele të tjera të drogës, por dhe të armiqve të Shqipërisë, çdo sekret shtetëror, përfshi të dhënat e TIMS-it. Vlora Hyseni shndërroi Shërbimin Informativ Kombëtar, një shërbim që, duhet ta themi, ka kryer detyra jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, por dhe për partnerët tanë, e shndërroi në një strofull kriminelësh, delinkuentësh dhe shtojcë të organizatave kriminale.
Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit, grup i cili ka përdorur AKSHI-n dhe Vlora Hysenin për të regjistruar në kundërshtim me Kushtetutën opozitarët, për të regjistruar shërbimet diplomatike dhe misionet diplomatike në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës, për t'ia transmetuar të dhënat armiqve të Shqipërisë. Vlora Hyseni u emërua në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar për ato motive që u shkarkua nga drejtimi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Kosovës, për shkarkimin dhe zhdukjen e të dhënave të këtij shërbimi në drejtim të Beogradit me siguri," tha Berisha./Dosja.al