Berisha: Shqipëria ka nevojë urgjente për ripërtëritje, do bëjmë çdo gjë për ta nxjerrë nga kjo gjendje

13:52, 10/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu demokrat tha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët se ‘Shqipëria ka nevojë urgjente për ripërtëritje dhe ne angazhohemi që do të bëjmë çdo gjë për ta nxjerrë me shpejtësi nga kjo emergjencë’.

Tonin Biba: Përkrahja sociale për familjet në nevojë është 30 mijë lekë të vjetra. Ju keni premtuar 200 euro. Pyetja është, kur do të jetë ajo ditë kur shqiptarët në nevojë të jenë si e gjithë Shqipëria, pra të kenë të ardhura normale?

Sali Berisha: Kam premtuar minimumin jetik 200 euro, i cili do vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e treguesit të çmimeve. Ai vit do jetë me fitoren e Partisë Demokratike, ju garantoj.

Ju garantoj se vitin e parë do ketë ndërhyrje emergjente me të cilat s'mund të imagjinohet ndihmë ekonomike 30-40 euro, pensione 40-50 apo 120 euro, me të cilat nuk ushqehen dot as dy javë normal, pa lëre ilaçe që s'i marrin dot. Nuk do kushtojë më fëmija 60% të rrogës fëmija i parë për t'u rritur.

Jo, do marrin fund këto. Pasuritë, të ardhurat do u rikthehen qytetarëve. Thashë, nuk kërkojmë votë për ato që kemi bërë, por ju kujtojmë se jemi renditur të katërtit në botë për këtë, për këtë konvertim të pasurive në rroga, pensione dhe mirëqenie për qytetarët.

Tani, me këtë emergjencë ju siguroj se vullneti është edhe më i hekurt, jo vetëm për emergjencën, por për arsimin. Një arsim, një proces serioz, me mësuesin në piedestal, me të gjitha shpërblimet dhe mundësitë e punës.

Një kujdes shëndetësor cilësor. Dhe jo vetëm për ata që kanë, jo. Kujdes shëndetësor cilësor për çdo shqiptar. Shqipëria ka mundësi të mëdha të ketë një kujdes shëndetësor disa herë më cilësor. Ka mjekë të shkëlqyer. Ka mjekë shqiptarë në Europë dhe në botë ndër më të mirët, në Europë dhe në botë, që janë të gatshëm të ndihmojnë.

Mbrëmë isha në Fier, u ndala për të vizituar Rrapi Xhikën, një mik i vjetër, ish-kryetar i Partisë Demokratike. Dhe aty gjeta një ekip tek spitali Imperial, mjekë që kryenin procedura ndër më të suksesshmet dhe më të vështirat. Njerëz me pasion.

Më treguan se si kishin, me metoda joinvazive, kishin shpëtuar jetën e një pacienti me çarje të aortës. Se si i kishin vendosur atë pjesën e aortës.

Më treguan se si kanë shpëtuar muskulin e zemrës pas bllokimit të arterieve, me zhbllokimin e tyre të shpejtë. Heqjen e trombeve në arteriet që shkojnë në tru, diagnozën dhe heqjen. M’u një mik që kisha aty me vete, këtu në Tiranë ia bënë diagnozën atij. Mikut tim. Po i thanë në spital publik, tani për të hequr trombin do të shkosh tek privati, të paguash nja 2000 euro atje.

Kjo është një aktakuzë e rëndë për sektorin publik. Të bësh diagnozën me kateter dhe të mos heqësh trombin, nuk je ai që duhet të jesh për të sëmurët.

Ky është një sistem mafioz i instaluar nga qeveria. Do marrin fund këto. Do marrin fund. Nuk do mund të ketë më shërbime të tilla.

Po sporti, që është i injoruar. Lexoja këto ditë unë, kishte ardhur në Shqipëri presidenti i Federatës së Basketbollit. A e dini ju sa jep qeveria shqiptare për basketbollin? 200 mijë euro. 3 milionë i jep Kosova për basketbollin. Kosova 3 milionë, 200 mijë jep qeveria shqiptare. Zero pothuajse.

Pra, Shqipëria ka nevojë urgjente për ripërtëritje dhe ne angazhohemi që do të bëjmë çdo gjë për ta nxjerrë me shpejtësi nga kjo emergjencë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco