Plani i ri për paqen, SHBA, Ukraina e BE takohen në Miami, kërkohet marrëveshja para dimrit

Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe përfaqësuesit europianë kanë zhvilluar bisedime në Miami për t’i dhënë fund luftës, me synimin për të arritur përparim përpara dimrit.
Takimi vjen ndërsa Uashingtoni paralajmëron rrezikun e përshkallëzimit dhe Donald Trump njofton një marrëveshje me Vladimir Putinin për furnizimin e tregjeve me naftë.
Ide të reja për paqen në Ukrainë janë diskutuar në Miami, ku zyrtarët amerikanë u takuan me përfaqësues të Kievit, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Komisionit Europian dhe NATO-s. I dërguari amerikan Steve Witkoff i cilësoi bisedimet konstruktive. Sipas tij, palët shqyrtuan mundësitë për uljen e tensioneve dhe përfundimin e luftës përpara dimrit.
Në tryezë ishin mbrojtja e furnizimit me energji, eksportet e drithërave dhe garancitë e sigurisë. U diskutua edhe rindërtimi i Ukrainës dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Europian. Megjithatë, nuk u njoftua ndonjë marrëveshje konkrete. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se bllokimi i negociatave mund të çojë në përshkallëzim, madje edhe në përhapjen e konfliktit drejt vendeve fqinje të NATO-s.
Sipas tij, lufta nuk ka zgjidhje ushtarake. Bisedimet u shoqëruan me njoftimin e Trumpit për një marrëveshje energjetike me Putinin. Presidenti amerikan tha se Rusia do të furnizojë menjëherë tregjet me mbi 300 mijë tonë naftë dhe me 500 mijë tonë të tjerë në nëntor. Thesari amerikan njoftoi një licencë të përkohshme për këto furnizime. Pengesa kryesore për paqen mbeten territoret.
Moska kërkon kontrollin e gjithë Donbasit, përfshirë zonat që mbahen ende nga Ukraina. Presidenti Volodymyr Zelensky kundërshton dorëzimin e tyre.
Uashingtoni synon bisedime më të gjera me Rusinë dhe Ukrainën gjatë këtij muaji, por ende nuk ka një datë të konfirmuar.


