Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë të angazhohen për ndërtimin e së ardhmes së tyre në Shqipëri, duke theksuar se institucionet e besueshme, sundimi i ligjit dhe mundësitë ekonomike janë thelbësore për të frenuar largimin e tyre nga vendi.
Gjatë një aktiviteti të Këshillit Atlantik në Tiranë, me temë “Zgjedhja e Shqipërisë: Të rinjtë liderë në bashkëbisedim me senatorët amerikanë”, Shaheen diskutoi me të rinj shqiptarë për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe rolin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Në aktivitet ajo shoqërohej nga senatori Dick Durbin.
Shaheen, përfaqësuese e shtetit të New Hampshire dhe anëtare e lartë e pakicës demokrate në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, theksoi se paqja dhe stabiliteti në rajon kërkojnë institucione demokratike funksionale, konkurrencë të ndershme dhe mundësi reale për qytetarët.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte emigrimi i të rinjve dhe mungesa e perspektivës që i shtyn ata të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit. Sipas senatores, ekziston një dallim i rëndësishëm mes zgjedhjes për t’u larguar për të eksploruar mundësi të reja dhe ndjesisë se largimi është e vetmja rrugë për të ndërtuar një jetë më të mirë.
“Ka një ndryshim mes zgjedhjes për t’u larguar dhe besimit se nuk ke zgjidhje tjetër, si dhe mes largimit dhe zgjedhjes për t’u kthyer”, u shpreh Shaheen.
Ajo nënvizoi se vendimi i të rinjve për të qëndruar në Shqipëri varet nga besimi se puna dhe përkushtimi shpërblehen, se bizneset mund të konkurrojnë në kushte të barabarta dhe se gjykatat e institucionet publike veprojnë në mënyrë të drejtë.
“A mund të ndërtoj një jetë në vendin tim?”, ishte një nga pyetjet që senatorja veçoi si thelbësore për të ardhmen e brezit të ri.
Shaheen mirëpriti përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes SHBA-së dhe Shqipërisë, përfshirë uljen e barrierave tregtare dhe krijimin e mundësive për kompanitë amerikane dhe sipërmarrësit shqiptarë. Megjithatë, ajo theksoi se marrëveshjet ekonomike duhet të bazohen te transparenca dhe konkurrenca e ndershme.
“Diplomacia amerikane duhet t’u hapë dyert bizneseve amerikane, por nuk duhet të vendosë se cilat biznese amerikane mund të kalojnë nëpër ato dyer”, deklaroi ajo.
Sipas senatores, investimet e qëndrueshme nuk mund të mbështeten te marrëveshjet që favorizojnë kompani për shkak të lidhjeve politike. Investitorët, theksoi ajo, kanë nevojë për rregulla transparente, konkurrencë të drejtë dhe një sistem ligjor të besueshëm.
Shaheen shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të zbatojnë të njëjtat standarde që kërkojnë nga partnerët e tyre, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Gjatë diskutimit, senatorja u ndal edhe te zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, duke theksuar se siguria e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ajo kujtoi vizitën e delegacionit amerikan në Bosnjë-Hercegovinë, ku u zhvilluan takime me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile, si dhe u vizitua Srebrenica. Shaheen paralajmëroi se, më shumë se tri dekada pas luftës, tensionet etnike dhe sfidat ndaj sovranitetit të Bosnjë-Hercegovinës mbeten shqetësuese.
Ajo kritikoi gjithashtu vendimin e administratës amerikane për heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, duke shprehur shqetësimin se ky vendim mund t’u japë legjitimitet forcave politike që, sipas saj, minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.
“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet në kufi. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu”, deklaroi Shaheen.
Ajo theksoi se politika amerikane duhet të mbështesë institucionet dhe marrëveshjet që kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Një tjetër temë e diskutimit ishte integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shaheen shprehu mbështetjen për një perspektivë të besueshme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke argumentuar se procesi ndihmon në forcimin e institucioneve demokratike, sistemit të drejtësisë dhe qeverisjes ekonomike.
Sipas saj, integrimi nuk duhet të mbetet një premtim i pafund, ndërsa vendet që përmbushin reformat e kërkuara duhet të kenë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit.
Shaheen argumentoi se demokracia dhe zhvillimi ekonomik janë të lidhura drejtpërdrejt: bizneset kanë më shumë besim për të investuar kur kontratat zbatohen dhe gjykatat janë të pavarura, ndërsa të rinjtë kanë më shumë arsye të qëndrojnë në vend kur besojnë se puna e tyre do të shpërblehet.
Në përfundim, senatorja u bëri thirrje të rinjve shqiptarë të angazhohen aktivisht në jetën publike, të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre dhe të kontribuojnë në përmirësimin e institucioneve.
“Qëndroni të angazhuar. Kërkoni institucione që punojnë për ju. Ndërtoni biznese, kandidoni për poste publike, kërkojuni llogari udhëheqësve tuaj dhe ndërtoni Shqipërinë ku dëshironi të jetoni. E ardhmja është në duart tuaja”, deklaroi ajo.
Shaheen bëri të ditur se kjo ishte vizita e saj e fundit në rajon në kuadër të një delegacioni të Kongresit, pasi në fund të vitit do të largohet nga Senati. Ajo theksoi se brezi i ri ka një rol të rëndësishëm në vazhdimin e përpjekjeve për paqe, demokraci dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që qëndrimi në vend të jetë një zgjedhje e lirë dhe jo një alternativë e kufizuar nga mungesa e mundësive.


