Gaza/ Premtime të paplotësuara, një vit pas armëpushimit, sulmet vazhdojnë dhe rindërtimi mbetet ende në pritje

10/10/2026 15:00

Një vit pasi Donald Trump shpalli përfundimin e luftës në Gazë, shumica e premtimeve të armëpushimit mbeten të papërmbushura.

Marrëveshja e 10 tetorit 2025 solli lirimin e 20 pengjeve të fundit të gjalla, të rrëmbyera gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Për një vit, nga Gaza nuk janë regjistruar sulme me raketa të grupit.

Megjithatë, armëpushimi nuk i ka ndalur goditjet izraelite. Sipas AFP-së, ato vazhdojnë pothuajse çdo ditë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë raporton rreth 1 mijë e 450 palestinezë të vrarë që nga marrëveshja. Institucioni drejtohet nga Hamasi, por shifrat e tij konsiderohen të sakta nga Kombet e Bashkuara. Edhe kontrolli territorial i Izraelit është zgjeruar.

Marrëveshja lejonte që trupat izraelite të qëndronin në 53 për qind të Gazës. Një vit më pas, sipas të dhënave zyrtare të cituara nga AFP-ja, ato kontrollojnë rreth 70 për qind. Kalimi i administrimit te një komitet teknokratësh ka mbetur gjithashtu i paplotë. Hamasi njoftoi dorëzimin e qeverisjes në korrik, por vazhdon të kontrollojë sigurinë.

Grupi premtoi edhe dorëzimin e armëve, por çarmatimi nuk ka nisur. Izraeli kërkon verifikimin e tij dhe refuzon të fillojë tërheqjen e trupave. Rindërtimi mbetet peng i mungesës së financimit. Trump premtoi 10 miliardë dollarë për “Bordin e Paqes”, ndërsa vendet e Gjirit njoftuan fonde shtesë.

Por, sipas AFP-së, nuk ka të dhëna që këto para të kenë mbërritur për rindërtimin e Gazës. Në shtator, bordi propozoi një plan rimëkëmbjeje prej 2.45 miliardë dollarësh, që parashikohet të shtrihet në gjashtë muaj.

 

Top Channel