web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sulmet ruse në Ukrainë/ Kievi: 17 persona humbin jetën, mes tyre 3 fëmijë

10 Tetor 2026, 14:58, Kosova & Bota CNA

Sulmet ruse në Ukrainë/ Kievi: 17 persona humbin jetën, mes tyre

Rusia e ka sulmuar të shtunën qytetin juglindor të Ukrainës, Zaporizhja, duke i vrarë të paktën 17 persona, përfshirë tre fëmijë, dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë dhe ujë në Kiev, thanë autoritetet ukrainase.

Ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar, ndërsa Rusia raportoi sulme ndaj objekteve energjetike në Ukrainë.

Numri i viktimave nga sulmi rus i mëngjesit në Zaporizhja aktualisht ka arritur në 17, ndërsa 16 persona të tjerë janë plagosur, tha në "Telegram", Ivan Fedorov, bashkëkryesues i këshillit rajonal të mbrojtjes. Ai shtoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë dhe se gjashtë persona rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet kanë shpallur 11 tetorin ditë zie në Zaporizhja.

Ekipet e shpëtimit e nxorën të gjallë një grua nga rrënojat e një ndërtese të shkatërruar, e cila u dërgua në spital, tha Mykhaylo Semikin, kreu në detyrë i administratës ushtarake rajonale.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se deri në 12 persona mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja.

Autoritetet ukrainase publikuan fotografi të pasojave të sulmeve, përfshirë të ndërtesave të dëmtuara rëndë.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha se një bombë ajrore ruse shkatërroi të gjithë hyrjen e një ndërtese banimi dhe dëmtoi ndërtesa të tjera dhe shtëpi private. Sipas tij, ekipet e shpëtimit shuan një zjarr dhe vazhduan kërkimet nëpër rrënoja për të gjetur të mbijetuar të mundshëm.

Zaporizhja ka qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ajrore ruse, të cilat janë intensifikuar gjatë muajve të fundit.

Sulmet ruse shkaktuan ndërprerje të mëdha edhe në Kiev. DTEK, ofruesi më i madh privat i energjisë në Ukrainë, njoftoi për “ndërprerje të reja masive të energjisë elektrike” në kryeqytet të shtunën.

Autoritetet vendase thanë se dëmtimi i një objekti energjetik në rajonin e Kievit e ka përkeqësuar furnizimin me energji elektrike të kryeqytetit, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë dhe pezullimin e përkohshëm të shërbimeve të metrosë.

Më pas, trenat rifilluan qarkullimin në të gjitha linjat e metrosë, por me intervale më të gjata ndërmjet nisjeve, sipas administratës së qytetit të Kievit. Autoritetet thanë se ekipet e riparimit po punonin për të rikthyer furnizimin me ujë.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia lëshoi 160 dronë sulmues kundër vendit gjatë natës, përfshirë 110 dronë Shahed me motorë reaktivë.

Deri në orën 9:00, mbrojtja ajrore ukrainase kishte rrëzuar ose neutralizuar 117 dronë, përfshirë 82 dronë me motorë reaktivë, thanë Forcat Ajrore. Sulme u regjistruan në 14 lokacione, ndërsa rënie e mbetjeve të dronëve u raportua në 10 lokacione të tjera.

Sulmet po vazhdojnë dhe disa dronë rusë vazhdonin të ndodheshin në hapësirën ajrore të Ukrainës, thanë Forcat Ajrore.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të shtunën se forcat ruse kishin goditur objekte energjetike të përdorura nga industria ukrainase e mbrojtjes, si dhe punishte për prodhimin e dronëve dhe vende ku ato ruheshin.

Ajo tha gjithashtu se gjatë 24 orëve të mëparshme ishin goditur pozicionet e dislokimit të ushtrisë ukrainase në 151 zona.

Pretendimet e ministrisë ruse nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Ministria shtoi se forcat ruse kishin shkatërruar në det një anije mallrash me ngarkesë të madhe, për të cilën pretendoi se po transportonte pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura të Ukrainës drejt portit të Odesës.

Ministria nuk dha hollësi të mëtejshme për anijen ose rrethanat e sulmit. Këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Leonid Pasechnik, guvernatori i rajonit të pushtuar të Luhanskut në lindje të Ukrainës, i vendosur nga Rusia, tha se katër civilë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur nga sulmet ukrainase gjatë 24 orëve të mëparshme.

Ukraina nuk ka reaguar menjëherë ndaj këtyre deklaratave.

Sulmet ndodhën një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se kishte arritur marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për lehtësimin e përkohshëm të kufizimeve ndaj eksporteve ruse të naftës. Qindra mijëra tonë karburant pritet të dalin në tregjet globale.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kritikoi këtë vendim, duke e cilësuar si “dhuratë” për Putinin dhe duke paralajmëruar se lejimi i Rusisë për të përfituar më shumë nga eksportet e karburanteve mund ta ndihmojë atë ta vazhdojë luftën kundër Ukrainës.

Ndërkohë, zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë zhvilluan bisedime në Majami të premten, në kuadër të një përpjekjeje të ripërtërirë diplomatike për t'i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

I dërguari amerikan, Steve Witkoff, i përshkroi diskutimet si konstruktive, duke thënë se ato përfshinë mënyrat për të ulur përshkallëzimin e konfliktit para dimrit, qëndrueshmërinë energjetike, eksportet e drithërave, garancitë e sigurisë dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Bisedimet përfunduan pa ndonjë përparim të rëndësishëm.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Moska e mohon se i shënjestron qëllimisht civilët dhe infrastrukturën civile, pavarësisht dëshmive të shumta për sulme ruse ndaj ndërtesave të banimit, spitaleve, shkollave dhe objekteve energjetike në gjithë Ukrainën. /REL





Lajmet e fundit nga