Dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, pasi dyshohet se një burrë ka qëlluar me armë zjarri.
Të lidhura
None found
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar. Viktimat që ndërruan jetë janë bashkëshortja e tij dhe vëllai i saj, ndërsa i plagosur mbeti djali i axhës së bashkëshortes. Në dy vendet e ngjarjes, policia ka sekuestruar 4 fishekë, 21 gëzhoja dhe 5 predha.
Me urdhër të prokurorit janë zhvilluar bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë të gjata me leje të skaduar, 1 pistoletë pa leje, 1 armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike.
Peter Due, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, ka dënuar ashpër vrasjet tragjike të një gruaje dhe vëllait të saj dje në Livoç të Ulët në Gjilan, si dhe plagosjen e një anëtari tjetër të familjes.
Ai u shprehu ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimave, si dhe i uroi shërim të shpejtë personit të lënduar.
“Kjo humbje tragjike e jetëve nxjerr në pah koston shkatërruese njerëzore të dhunës me bazë gjinore. Një dhunë e tillë është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet kurrë apo të trajtohet si çështje private,” deklaroi ai.
Kreu i UNMIK-ut u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të vijojnë përpjekjet e koordinuara për të parandaluar dhunën me bazë gjinore.




