Nga Franca në Policinë Kufitare, njihuni me 25-vjeçaren që u kthye në Shqipëri për të realizuar ëndrrën e saj në radhët e bluve

10 Tetor 2026, 16:00Sociale TEMA
Nga Franca në Policinë Kufitare, njihuni me 25-vjeçaren që

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka ndarë në rrjetet sociale historinë e Elisa Hasanajt, 25-vjeçares nga Shkodra, e cila, pas gjashtë vitesh qëndrimi në Francë, u kthye në Shqipëri për të ndjekur pasionin e saj për Policinë e Shtetit.

E dekoruar javën e kaluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar në detyrë, Elisa shërben prej dy vitesh në Stacionin e Policisë Kufitare në Han të Hotit. 

Ajo punon si operatore e sistemit të kamerave dhe kontribuon në garantimin e sigurisë kufitare.
Historia e saj është një shembull frymëzues i zgjedhjes për t’u kthyer në atdhe, për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri dhe për t’i shërbyer vendit përmes uniformës së Policisë së Shtetit.

Postimi i plotë i ministrit Demo:

Pas gjashtë vitesh në Francë, Elisa Hasanaj u kthye në Shqipëri. Këtu e priste një dëshirë që nuk lidhej me diplomën e saj: të vishte uniformën e policisë. Sot, 25-vjeçarja nga Shkodra ka dy vite që shërben në Policinë e Shtetit, në kufirin që për shumëkënd është pikënisje për një jetë jashtë vendit. Për Elisën, është vendi ku po ndërton jetën pas kthimit.

Në Francë kreu shkollën profesionale për menaxhim dhe administrim. Kur u kthye, zgjodhi t’i jepte një drejtim tjetër jetës profesionale, duke ndjekur pasionin për policinë. “Jam kthyer në Shqipëri për të jetuar dhe kam hyrë në polici, pasi e kisha pasion”, thotë ajo.

E thotë thjesht, në një fjali që përmbledh dy vendime të rëndësishme: ku donte të jetonte dhe çfarë donte të bënte. Elisa shërben në Stacionin e Policisë Kufitare Hani i Hotit, si operatore e sistemit të kamerave. Puna e saj kërkon përqendrim, durim dhe vëmendje ndaj detajeve. Përpara ekraneve, i duhet të ndjekë me kujdes atë që ndodh në një vend ku lëvizja e njerëzve dhe e mjeteve është pjesë e përditshmërisë. Është një anë e shërbimit kufitar që udhëtarët rrallë e shohin. Pas kamerave është një njeri që vëzhgon, që duhet të jetë i vëmendshëm edhe kur gjithçka duket e zakonshme. Prej dy vitesh, këtë përgjegjësi e mban edhe Elisa.

Gjashtë vitet në Francë mbeten pjesë e historisë së saj. Por kur flet për jetën që ka zgjedhur, fjalia nis me kthimin në Shqipëri. Aty ku pasioni për uniformën u bë profesioni i saj.

Lini një Përgjigje