web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x
16:11 Aktualitet

Lana pas fasadës

Në disa ditë ne kemi sjellë plane dhe një vëzhgim të lumit...

Pas dëbimit nga Mali i Zi, themeluesi i rrjetit rus Rybar mbërrin në Serbi

10 Tetor 2026, 16:25, Kosova & Bota CNA

Pas dëbimit nga Mali i Zi, themeluesi i rrjetit rus Rybar mbërrin

Kreu i kanalit Rybar në Telegram, Mikhail Zvinchuk, bashkëshortja e tij Valeria dhe tre kolegë të tyre, të cilët u dëbuan nga Mali i Zi, mbërritën në Beograd të premten në mbrëmje.

Në aeroportin e Beogradit, ata njoftuan se gjatë ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë hapat e mëtejshëm, përfshirë angazhimin e avokatëve, raportoi Radiotelevizioni i Malit të Zi. Ata u larguan nga Mali i Zi drejt Serbisë fqinje pasi ishin urdhëruar nga autoritetet malazeze të largoheshin nga vendi për shkaqe të “sigurisë kombëtare dhe të brendshme”. Vendimin për dëbimin e tyre e mori Drejtoria e Policisë së Malit të Zi.

Radio Evropa e Lirë (REL) iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për koment lidhur me hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrë Beogradi, por nuk mori përgjigje. REL-i zbuloi se Zvinchuk kishte qëndruar në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë para se të shkonte në Mal të Zi, ku, së bashku me ekipin e tij, dyshohet se po xhironte një seri dokumentarësh për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ballkanit.

Ku u ndaluan Zvinchuk dhe të tjerët?

Shtetasit rusë po qëndronin në një hotel në Risan, në territorin e komunës së Kotorrit, rreth 120 kilometra larg Podgoricës. Më pas, ata u dërguan në ambientet zyrtare të policisë për kryerjen e procedurave dhe veprimeve të mëtejshme zyrtare.

Atyre iu gjetën dhe iu sekuestruan pajisje dhe mjete digjitale, përfshirë pajisje me rezolucion të lartë, një dron, një kamerë, një kamerë GoPro, si dhe disa telefona.

Policia bëri të ditur se pajisjet do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe analizave, me qëllim të përcaktimit të destinimit të tyre dhe të qëllimit për të cilin janë përdorur në territorin e Malit të Zi.

Çfarë thotë Rybar?

Përmes kanalit të vet në Telegram, Rybar konfirmoi ndalimin e personave në fjalë në Mal të Zi, duke theksuar se që të katër shtetasit rusë “qëndronin ligjërisht në Mal të Zi dhe se ishte planifikuar xhirimi i Manastirit të Cetinjës, për të cilin ishte bërë më herët një kërkesë zyrtare”.

Ata theksuan se “nuk ka pasur shkelje të ligjeve të Malit të Zi”.

Gjithashtu, pretenduan se janë në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e çështjes.

Deklaratat e Millatoviçit dhe Spajiqit

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviç, u kërkoi institucioneve kompetente të sigurisë të përcaktojnë se si Mikhail Zvinchuk, i lidhur me rrjetin rus të blogerëve ushtarakë, kishte hyrë dhe qëndruar në Mal të Zi.

“Ne kemi paralajmëruar se përpjekjet për veprimtari hibride dhe destabilizim e shoqërojnë vazhdimisht rrugëtimin tonë evropian”, shkroi Spajiq në rrjetet sociale pas arrestimeve, duke shtuar se institucionet po e kryejnë punën e tyre.

Nga kabineti i presidentit të Malit të Zi, Millatoviq, u tha se institucionet kompetente të sigurisë duhet t’i sqarojnë rrethanat e këtij rasti.

Çfarë është Rybar?

Ribar është një rrjet mediatik dhe informativ rus, i themeluar në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për shtyp të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Zvinchuk është nën sanksione të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Evropian (BE), ndërsa BE-ja ka deklaruar se ai ishte pjesë e një grupi pune të krijuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të mobilizuar mbështetjen për luftën në Ukrainë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacione rreth tij dhe figurave të tjera të Rybar-it, për shkak të përpjekjeve të tyre për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2024.

Një njoftim i Departamentit të Shtetit të SHBA-së që kërkon informacion në lidhje me Zvinchukun dhe figura të tjera të Rybar.
Vitet e fundit, rrjeti i ka zgjeruar aktivitetet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Rybar është shndërruar në një prej kanaleve ushtarake proruse më me ndikim në Telegram qëkurse Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.

Vitet e fundit, ai i ka zgjeruar aktivitetet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. /REL





Lajmet e fundit nga