Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë kanë arritur një nivel rekord në gjysmën e parë të vitit.
Banka qendrore tërhoqi nga tregu 664 milionë euro në tregun valutor, në një kohë kur monedha europiane vijon të humbasë vlerë përballë lekut.
Vetëm në tremujorin e dytë blerjet arritën në 524 milionë euro duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e ndërhyrjeve u krye drejtpërdrejt në tregun valutor, ndërsa pjesa tjetër përmes ankandeve të planifikuara.
Këto blerje në sasi të mëdha janë në vijueshmëri të blerjeve të viteve më parë kur dhe rënia e euros u shtua ndjeshëm. Në periudhën 2024-2025, blerjet arritën vlerën e më shumë se dy miliardë eurove. Vetëm vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 1 miliard e 27 milionë euro në tregun e brendshëm. Ndërsa pritet se nëse vijohet me këtë ecuri edhe në 2026 mund të arrihet një record I ri.
Edhe rezerva valutore ka arritur rekorde të reja në 8.4 miliardë euro, në rritje me 18.7% me bazë vjetore.
Ndërsa ndërhyrjet synojnë të shtojnë rezervën valutore të vendit, zhvillimet tregojnë se oferta e euros në treg vijon të jetë e lartë. Flukset valutore nga turizmi, investimet e huaja dhe remitancat janë ndër faktorët që ndikojnë në tregun e këmbimit.
Si pasojë kursi i këmbimit Euro-Lek këtë vit e ka shpejtuar tendencën rënëse. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, aktualisht euro këmbehet me 91.65 lekë. Që nga fillimi i vitit euro është zhvlerësuar me 5.3%. Ndërsa në pikat e shitjeve tregtohet dhe për 87 lekë .(grafik)
Në këtë situatë kursi i këmbimit mbetet një çështje e rëndësishme për biznesin dhe ekonominë shqiptare ndërsa ecuria e flukseve valutore do të ndikojë edhe në zhvillimet e tregut gjatë pjesës së mbetur të vitit.