Komisioneri i BE-së për Drejtësinë intervistë për Euronews: Suporti i SPAK-ut thelbësor për integrimin në BE

10 Tetor 2026 | 17:07

Reforma në drejtësi, pavarësia e institucioneve dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit mbeten vendimtare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për Euronews Albania, komisioneri i Bashkimit Evropian për demokracinë, drejtësinë dhe shtetin ligjor, Michael McGrath, vlerësoi progresin e arritur që prej vitit 2016, duke theksuar se sfida tashmë është konsolidimi i institucioneve dhe garantimi i pavarësisë së tyre.

“Ndonjëherë kilometri i fundit është më i vështiri dhe me siguri që do të ketë sfida dhe vështirësi, por me nivelin e angazhimit që kemi parë deri tani nga autoritetet shqiptare, mendoj se mund të jemi të sigurt se qëllimi përfundimtar është afër. Ndaj le të punojmë së bashku. Sigurisht që reforma në drejtësi ka qenë thelbësore për progresin që është bërë deri tani, por ka ende punë për të bërë”, u shpreh ai.

Një vëmendje të veçantë komisioneri McGrath i kushtoi edhe SPAK-ut, për të cilin tha se është një institucion me rol thelbësor në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, dhe kërkoi mbështetje nga politika dhe institucionet publike, si dhe burime të mjaftueshme financiare për ta.

“Është shumë e rëndësishme që ata të kenë nivelin e burimeve që u nevojiten, kompetencat që u nevojiten dhe aftësinë që u nevojitet për t’u përballur me njerëzit që janë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe në krim të organizuar, çka rëndon ndjeshëm mbi njerëzit e zakonshëm”, tha më tej McGrath.

I pyetur për debatin mbi pagat e magjistratëve, komisioneri theksoi se vendimet gjyqësore duhet të zbatohen dhe se një sistem drejtësie i pavarur është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Para së gjithash takon autoriteteve shqiptare të vendosin për nivelin e shpërblimit për magjistratët. Megjithatë, aty ku ka një vendim gjykate, si në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është e rëndësishme që ai të zbatohet dhe mirëpresim faktin që magjistratët janë paguar”, theksoi McGrath.

Përgjatë vizitës së tij në Shqipëri, komisioneri europian Michael McGrath u takua me krerët më të lartë shtetërorë dhe të sistemit të drejtësisë për të diskutuar mbi procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Intervista e plotë:

Gazetari: Z. Komisioner, para së gjithash, ju falënderoj që pranuat këtë intervistë për EuroNews Albania. 

Komisioneri: Shumë faleminderit që më ftuat!

Gazetari: Reforma në drejtësi në Shqipëri po hyn në vitin e saj të dhjetë. Cili është vlerësimi juaj për rezultatet e saj deri më tani, pasi sot ju takuat shumicën e drejtuesve shqiptarë si kryeministrin, ministrin e Drejtësisë dhe drejtues të tjerë në Shqipëri?

Komisioneri: Para së gjithash, jam i kënaqur që kam mundësinë të vizitoj Shqipërinë dhe të shoh nga afër progresin që është arritur në rrugën drejt anëtarësimit gjatë viteve të fundit. Dhe, në veçanti, një  nxitës kyç i këtij progresi ka qenë reforma në drejtësi që ka vazhduar që prej vitit 2016, procesi i vetingut, ngritja e SPAK-ut, si dhe reforma të tjera që kanë qenë shumë të rëndësishme. Pra, ne e njohim progresin që Shqipëria ka vazhduar të bëjë kohët e fundit.

Shqipëria tashmë është një pararendëse në aspektin e rrugës drejt anëtarësimit. Dhe mesazhi im kryesor gjatë vizitës sime është se jam këtu për të mbështetur dhe për të ndihmuar.Komisioni Evropian dëshiron t’i ofrojë çdo ndihmë që mundemi Shqipërisë në hapat e mbetur të rrugëtimit.

Tani është e rëndësishme që të gjithë të punojmë së bashku për të mbështetur përpjekjet dhe për të shfrytëzuar vrullin, për t’u mbështetur në arritjet e deritanishme. Sepse ndonjëherë kilometri i fundit është më i vështiri. Dhe me siguri që do të ketë sfida dhe vështirësi. Por me nivelin e angazhimit që kemi parë deri tani nga autoritetet shqiptare, mendoj se mund të jemi të sigurt se qëllimi përfundimtar është afër. Ndaj, le të punojmë së bashku. Sigurisht që reforma në drejtësi ka qenë thelbësore për progresin që është bërë deri tani. Por ka ende punë për të bërë.

Gazetari: Ju sot u takuat edhe me z. Braho, kreun e SPAK-ut. Si e vlerësoni deri tani punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në këto 10 vite? Dhe jo vetëm gjatë kësaj kohe që z. Braho është në drejtim.

Komisioneri: Ne njohin rolin thelbësor që po luan SPAK-u në drejtim të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Ata kanë një punë të vështirë. Dhe kjo është arsyeja pse mbështetja e plotë në gjithë sistemin politik dhe nga të gjitha organet publike është kaq e rëndësishme për punën që ata bëjnë, së bashku me mbështetjen nga publiku i gjerë.

Pra, është shumë e rëndësishme që ata të kenë nivelin e burimeve që u nevojiten, kompetencat që u nevojiten dhe aftësinë që u nevojitet për t’u përballur me njerëz që janë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe në krim të organizuar, çka rëndon ndjeshëm mbi njerëzit e zakonshëm.

Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë realitetin se korrupsioni nuk është një krim pa viktima. Ai shpesh mund të përfshijë përdorimin e burimeve të pakta publike që njerëzit do të preferonin shumë më tepër t’i shihnin të përdorura për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen në vend.

Kështu që u ndjeva i kënaqur që pata mundësinë të shprehja mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për punën e SPAK-ut. Është e rëndësishme që edhe gjithë aktorët politikë të shprehen publikisht në mbështetje të SPAK-ut dhe të punës që ai bën, pasi kjo mbështetje është e rëndësishme. Është e rëndësishme që qytetarët të dëgjojnë se ekziston një mbështetje politike e nivelit të lartë.

Ne presim me interes të shohim përparim të mëtejshëm në forcimin e rezultatave të arritura në hetimin, ndjekjen penale dhe dhënien e dënimeve si në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë ashtu edhe me krimin e organizuar.

Por, e vërteta është se korrupsioni duhet luftuar në të gjitha nivelet. Dhe kjo është arsyeja pse roli i shërbimeve të tjera prokuroriale në Shqipëri është po ashtu i rëndësishëm.

Është po ashtu e rëndësishme që të trajtojmë shkaqet bazë të korrupsionit ndërsa ai ndodh dhe të vendosim masa mbrojtëse të përshtatshme në të gjitha nivelet.

Të kesh një sektor mediatik të lirë dhe të pavarur është shumë e rëndësishme. Të kesh një shoqëri civile gjithëpërfshirëse dhe dinamike është gjithashtu një themel i rëndësishëm i një shoqërie të hapur demokratike ku korrupsioni është çrrënjosur. Po ashtu, çështje të tilla si lobimi, praktika e dyerve rrotulluese e të tjera të ngjashme, që janë çështje në të cilat Komisioni Evropian është përqendruar në gjithë Bashkimin Evropian, por edhe në vendet kandidate.

Gazetari: Deri në ç’masë i ka përmbushur Shqipëria kriteret e sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit si pjesë e procesit të integrimit në BE? Ku nevojitet ende më shumë progres?

Komisioneri: Mendoj se është e rëndësishme të njihet progresi shumë i mirë që është arritur deri tani, ngritja e institucioneve të reja, reformat që janë zbatuar. Dhe ajo që është më e rëndësishme tani është që ato të japin rezultate në praktikë.

Ne po shohim një periudhë konsolidimi, ku këtyre institucioneve u jepet niveli i pavarësisë dhe burimet që u nevojiten për të kryer detyrat thelbësore që kanë në sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri. Për mua kjo është gjëja kryesore, të sigurohemi që ato të kenë mbështetjen politike, mbështetjen financiare për të bërë punën e tyre, dhe që kjo aftësi të garantohet në aspektin e qasjes ndaj punës së këtyre autoriteteve.

Komisioni Evropian është i gatshëm të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe të garantojë që këto autoritete janë plotësisht të përshtatshme për qëllimin e caktuar, po i përmbushin detyrat që u janë caktuar, si dhe që të ketë respekt të plotë për pavarësinë e aktorëve kyç të sistemit të drejtësisë, qofshin magjistratë, gjyqtarë apo prokurorët. Pavarësia e tyre është absolutisht thelbësore në çdo sistem demokratik të hapur. Dhe është po ashtu një standard evropian që unë e di se Shqipëria e pranon plotësisht.

Gazetari: A duhet t’i jepet pavarësi financiare sistemit të drejtësisë, lidhur me debatin mbi pagat e magjistratëve, që ka qenë një çështje e rëndësishme muajt e fundit këtu në Shqipëri?

Komisioneri: Ne i kemi ndjekur zhvillimet e vazhdueshme në këtë drejtim. Para së gjithash, u takon autoriteteve shqiptare të vendosin për nivelin e shpërblimit për magjistratët. Megjithatë, aty ku ka një vendim gjykate, si në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është e rëndësishme që ai të zbatohet dhe mirëpresim faktin që magjistratët janë paguar.

Ne e kuptojmë se ka një apel të mëtejshëm në lidhje me çështje të caktuara që lidhen me këtë. Dhe do të theksoja idenë e përgjithshme se ne duam që të bëhesh magjistrat të jetë një aspiratë dhe një ambicie e njerëzve që kanë arsimin dhe përvojën e kërkuar. Sepse ne duam që drejtësinë në Shqipëri ta administrojnë njerëzit më të mirë. Dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shpërblimi dhe niveli i burimeve në përgjithësi, për të mbështetur punën e tyre, të jenë të përshtatshme dhe të pasqyrojnë rëndësinë e rolit brenda sistemit të drejtësisë.

Të kesh një sistem drejtësie vërtet të pavarur, me njerëz të aftë që ushtrojnë funksionet e tyre, është një themel i domosdoshëm jo vetëm i një shoqërie demokratike, por edhe i një ekonomie të suksesshme.

Sepse të kesh besim dhe siguri te sistemi i drejtësisë dhe te sistemi gjyqësor është absolutisht jetike për të garantuar që investitorët, bizneset dhe konsumatorët të kenë besimin që u nevojitet për të luajtur një rol të plotë në zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë.

Gazetari: Rasti që përfshin ish-Shefen e Shërbimit Informativ të Shtetit ka ngritur pyetje në lidhje me mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve të sigurisë. Çfarë prisni nga autoritetet shqiptare në raste të tilla?

Komisioneri: Ne nuk komentojmë për asnjë rast individual, por riafirmojmë idenë që e di që është ndarë dikur këtu në Shqipëri, se askush nuk është mbi ligjin, se të gjithë të mund të bëhen përgjegjës për çdo keqbërje për të cilën mund të jenë fajtorë. Sigurisht, ata kanë të drejtë për një proces të rregullt ligjor dhe procedura të drejta, si dhe të drejtën për të qenë pjesë e një sistemi efikas të drejtësisë.

Por u takon autoriteteve të ndjekin provat dhe të ngrenë çështje kur i konsiderojnë të përshtatshme dhe së fundi, të sjellin prova në gjykatat e pavarura, të cilat më pas do të gjykojnë bazuar në provat që paraqiten në gjykatë.

Kështu duhet të funksionojë sistemi ynë. Pra, të gjithëve duhet t’u jepet një proces i drejtë para ligjit në Shqipëri, si dhe në gjithë Bashkimin Evropian. Por, po ashtu, të drejtat e tyre duhet të mbrohen. Por është e rëndësishme që provat të ndiqen në të gjitha çështjet dhe që aty ku identifikohet korrupsion, të sillet para gjykatave dhe gjykatat do të vendosin më pas për veprimet e duhura.

Gazetari: Një pyetje e fundit. A ka aktualisht ndonjë çështje që mund ta ngadalësojë përparimin e Shqipërisë me kapitujt e drejtësisë dhe sundimit të ligjit?

Komisioneri: Ne e mbështesim fuqimisht ambicien që ka vendosur Shqipëria për të mbyllur gjithë kapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Duhet ta theksojmë përsëri se ne ndjekim atë që njihet si parimi “Themeloret në radhë të parë”. Me fjalë të tjera, grupi i kapitujve që përfshijnë, për shembull, sundimin e ligjit dhe drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, është vendi ku fillon gjithçka dhe është po ashtu vendi ku mbaron gjithçka.

Ajo çka është e rëndësishme është që të ketë një angazhim të qëndrueshëm për reforma dhe për të mbështetur institucionet që u japin jetë aspiratave për të pasur një sistem drejtësie vërtet të pavarur dhe efikas, një mjedis të shëndoshë të sundimit të ligjit dhe një vend ku korrupsioni nuk tolerohet në asnjë nivel.

Duhet parë progresi i vazhdueshëm i institucioneve që janë ngritur, duhet parë mbështetja politike që u ofrohet këtyre institucioneve, përfshirë mbështetjen financiare, pasi është e rëndësishme që ato të kenë burimet e nevojshme për të kryer detyrat e tyre. Dhe unë, si Komisioner, shoh se progresi këtu në Shqipëri ka qenë mbresëlënës.

Ne duam që kjo të vazhdojë. Ne do të jemi partnerë për pjesën e mbetur të rrugëtimit, siç kemi qenë që nga fillimi, sepse e shohim shumë Shqipërinë si pjesë të familjes evropiane. Ne e dimë që niveli i mbështetjes publike për anëtarësimin në BE është jashtëzakonisht i lartë këtu në Shqipëri dhe duam ta mirëpresim Shqipërinë në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Por që ne të mund ta bëjmë këtë, është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe të qëndrojmë vërtet të përqendruar dhe të përkushtuar ndaj zbatimit të reformave. Dhe në zemër të gjithë kësaj qëndron rëndësia e sistemeve të pavarura të drejtësisë, të cilat respektohen në çdo kuptim të kësaj pavarësie.

Komisioni Evropian do të jetë një partner i gatshëm për të mbështetur përpjekjet e autoriteteve shqiptare për përmbushjen e të gjitha standardeve përmbyllëse, në mënyrë që të gjithë kapitujt të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mund të kalojmë në fazat e ardhshme më përfundimtare të procesit të anëtarësimit.

Gazetari: Shumë faleminderit për kohën tuaj!

Komisioneri: Shumë faleminderit!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Studentët njoftojnë protestë kombëtare më 13 tetor para Ministrisë së Arsimit

Në ditën e 133-të të protestës në Tiranë, është shfaqur një pankartë përmes së cilës studentët njoftojnë organizimin e një proteste kombëtare më 13 tetor,...
19:41 | 10/10/2026

Fundjava me reshje shiu, meteorologia tregon si pritet të nisë java

Meteorologia Lajda Porja, në një lidhje live për Euronews me Alba Xhanin, bëri parashikimin e motit, ku tha se kjo fundjavë do të jetë nën...
15:36 | 10/10/2026

Me pistoletë dhe kanabis në makinë, arrestohet në Kakavijë 51-vjeçarja gjermane

Një 51-vjeçare gjermane është arrestuar këtë të shtunë në Kakavijë, pasi u kap në makinë me armë dhe lëndë narkotike kanabisativa. Sipas raportimeve të policisë,...
15:17 | 10/10/2026