Mentor Kikija ka reaguar ashpër ndaj deputetit socialist Erion Braçe, pas vendimit të tij për të votuar pro ndarjes së re territoriale, pavarësisht kritikave që kishte shprehur më herët ndaj hartës së propozuar.
I iniciuar nga deklarata e sotme e deputetit socialit që ndër të tjera la të kuptohej se kishte qenë “i detyruar”, gazetari i njohur vë në pikëpyetje arsyetimin e Braçes, i cili e justifikoi votën me dëshirën për të vijuar punën si deputet dhe për t’u shërbyer qytetarëve që e kanë zgjedhur.
Sipas tij, nëse ai mendonte se ndarja e re nuk ishte në interes të qytetarëve, duhej ta kishte kundërshtar edhe përmes votës. Në postimin e bërë në Facebook-un e vet, Kikija shkruante:
“Erjon Braçe zgjodhi të vazhdojë të punojë si “deputet socialist”!
Erjon Braçe sqaroi publikisht votën e tij “pro” ndarjes së re territoriale. Ai vazhdon të mendojë se kjo nuk është reformë, por thjesht një ndarje e re.
Sqarimi përmblidhet me një fjali:
“Votova ‘pro’ sepse zgjodha të qëndroj, që të vazhdoj të bëj punën që më kanë ngarkuar votuesit.”
Kaq është e gjitha!
Rama u vuri deputetëve kushtin: kush voton kundër, përjashtohet nga PS-ja.
Braçe zgjodhi të qëndrojë në punë për ti shërbyer qytetarëve, pasi, siç shkruante, deputetllëkun e shikon si punë dhe Parlamentin si vendin e punës, “ku më ka emëruar populli dhe jo Rama”.
Por, për çfarë pune e kanë emëruar votuesit Braçen?
Deputeti e ka vendin e punës në Kuvend dhe mjet pune ka votën. Populli e emëron deputetin që t’i shërbejë atij, me votën që i ka besuar.
• Atëherë, çfarë pune ke bërë ti, z. Braçe, kur mendon se reforma nuk është e mirë, por megjithatë e votove?
• Çfarë pune ke bërë kur ke votuar disa herë ligjin për investimet strategjike, që ka dhuruar bregdetin për oligarkët dhe kolegët e tu?
• Çfarë pune ke bërë kur votove ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat tani duhet të zhbëhen sërish?
• Çfarë pune ke bërë kur votove “Paketën e Maleve”, një ligj që po dhuron male e fusha për njerëz që nuk kanë lidhje as me bujqësinë, as me blegtorinë?
Nëse populli të ka punësuar ti shërbesh atij, mund të jesh një deputet i ndershëm duke i kundërshtuar me votë ligjet që mendon se nuk i shërbejnë popullit, edhe nëse kjo do të thotë të mos jesh më deputet i PS-së, sepse mandatin nuk ta heq askush.
Nëse populli socialist të ka votuar që të jesh thjesht një deputet socialist, pavarësisht se çfarë voton, atëherë je në rregull.
Ti je një deputet socialist. Pavarësisht se çfarë thua, ti voton si deputet socialist. Siç bën edhe Zeqineja, psh. Por ajo nuk bën si opozitare.
Edhe ti po punon për Partinë Socialiste dhe jo për popullin, apo të paktën për popullin socialist që të emëroi në atë detyrë.
Sepse populli socialist dhe Partia Socialiste, mendoj ka ca kohë që janë bërë dy gjëra të ndryshme”.
